Kryeministri Rama: Rilind Kalaja e Prezës, prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti

15 Maj, 2022 - 9:30 pm

Kalaja e Prezës është restauruar tashmë plotësisht, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kalaja e restauruar, teksa u shpreh se, ka përfunduar puna për rilindjen e një prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Rama tha se, restaurimi u mundësua falë Fondit të Ambasadorit të SHBA për trashëgiminë dhe angazhimit të një skuadre të shkëlqyer ekspertësh e punëtorësh shqiptarë

“Ja edhe puna e përfunduar mirë e bukur për rilindjen e një prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, Kalaja e Prezës, që u mundësua falë Fondit të Ambasadorit të SHBA për trashëgiminë dhe angazhimit të një skuadre të shkëlqyer ekspertësh e punëtorësh shqiptarë”, theksoi kryeminisri.

Kalaja e Prezës ndodhet 22 km nga Tirana. Restaurimi i kalasë së Prezës, zbatuar nga CHwB Albania, nuk ishte i lehtë për shkak të shkallës së dëmtimit, por edhe teknikave të ndërtimit të saj. Ekspertët kanë bërë një punë e madhe, jo thjesht për të ringritur kullën apo për të restauruar muret, por për të “shëruar” të gjitha patologjitë e hasura gjatë ekspertizës së monumentit, për ta përforcuar, për ta bërë atë më rezistente ndaj lëkundjeve sizmike, por pa cenuar vetë monumentin.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka shërbyer si pikë e fortifikuar për të mbrojtur Krujën nga rreziqet që mund t’i vinin nga deti./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme