Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

23 Qershor, 2020 - 6:30 pm

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, – tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbehet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente me te vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë hapur. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /KultPlus.com

Të ngjajshme