KultPlus, pjesë e Forumit Global “Truth, Justice and Remembrance” në Berlin

17 Nëntor, 2017 - 1:19 pm

Organizuar nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung, po mbahet në Berlin Forumi Global “Truth, Justice and Remembrance” – E vërteta, drejtësia dhe kujtesa. Pjesë e këtij Forumi është edhe KultPlus – e para gazetë shqiptare që trajton vetëm artin dhe kulturën.

Redaktori Arbër Selmani, si alumni ( ish pjesëmarrës ) i Seminarit të Berlinit në vitin 2014-të, është ftuar të jetë një nga 120 pjesëmarrësit në Forum, nga Brazili, Franca, Gjermania, Serbia, Argjentina dhe rreth 35 shtete tjera.

Selmani gjatë ditës së djeshme e ka ndihmuar debatin mbi drejtësinë dhe të vërtetën në Serbi, debat i moderuar nga Milia Kostiq nga Humanitarian Law Center në Serbi.

Forumi në fjalë mbledhë aktivistë, gazetarë, politikanë dhe antarë të shoqërisë civile të cilët punojnë në temën e kujtesës kolektive, drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, brenda shoqërive pas konflikteve, luftërave dhe gjenocidit.

Mbrëmë në një nga kinematë e Berlinit, në kuadër të Forumit, u transmetua filmi “Year Zero36”, ku tregohet krijimi i një trupe teatrale cirku me të rinjtë e Kamboxhias. Aktori shqiptar Arben Bajraktaraj ishte pjesë e filmit si një mësues i të rinjve drejt suksesit dhe paraqitjeve në shtetet tjera.

Ky është edicioni i parë i Forumit, që nisi me 15 nëntor dhe përfundon sonte. KultPlus edhe në të kaluarën, por edhe tani dhe në të ardhmen publikon shkrime të ndryshme që kanë të bëjnë me kujtesën kolektive, memorialet, statujat, ballafaqimin me të kaluarën dhe luftën në Kosovë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme