16 Qershor, 2025 - 8:30 pm
Laguna e Kune Vainit, përveç se një nga asetet turistike të veriperëndimit të vendit, është një atraksion me turizëm gjithëvjetor, e shpallur si e para zonë e mbrojtur në vend.
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një vizitë në këtë Park Natyror, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Ministrja Kumbaro tha se në këtë “Park Natyror zhvillohen aktivitetet e preferuara të vizitorëve të kësaj hapësire me vlera të rralla të biodiversitetit, që është kthyer në një atraksion të veçantë për ekoturizmin, shëtitjet në natyrë, vëzhgimin e shpendëve dhe kulinarinë fantastike”.
“Kemi një nga parqet më të frekuentuara, por edhe më të mirëmbajtura për shkak të pasurive natyrore. Gjithashtu është edhe një nga pikat e atraksionit turistik, ndaj më erdhi mirë që e kishit futur në guidën e re për turizmin në bashkinë e Lezhës, pasi ky është një nga destinacionet kryesore” tha Kumbaro.
Një nga punonjëset e Parkut Natyror tha se Laguna Kune-Vainit është një nga zonat që frekuentohet më shumë nga turistët vendas dhe ata të huaj, jo vetëm pse ka agroturizmin natyror, por edhe për pjesën e turizmit bregdetar.
“Zona ka rëndësinë e saj sepse është një nga zonat e mbrojtura në Shqipëri, që më 7 korrik 1940. Zona është shpallur zona e parë e mbrojtur, ndërsa mori edhe statusin Rezervat Natyror i menaxhuar. Falë vlerave të biodiversitetit, kemi numrin më të lartë shpendëve në lagunë. Shpendët janë kryefjala e kësaj lagune si çafka e vogël e bardhë, çafka e madhe etj”, tha ajo, duke theksuar se një nga aktivitetet më të preferuara për turistët e huaj është ekoturizmi, xhirot me biçikleta, vrojtimi i shpendëve dhe specieve të tjera me dylbi, si edhe shijimi i kulinarisë tradicionale.
Ministrja Kumbaro u shpreh se në territorin e Lagunës nuk duhet të lejohet asnjë ndërtim, por të ruhen ato pak pika që lejuar të ndërtohen në harmoni me natyrën.
Kumbaro pohoi se ka një “fluks të rritur të vizitorëve në zonat e mbrojtura, nga syri i kaltër në Finiq e deri në Alpe e Theth kemi rritje”. “Kemi rritje në gjithë territorin e Shqipërisë, edhe në Kune-Vain, por janë vizitorë që shtohen të dedikuar elitarë që janë të përkushtuar për natyrën”, u shpreh Kumbaro.
Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.
Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.
Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh./atsh/KultPlus.com