Kur u vendosën shqiptarët e parë në Britani, mes tyre dhe Konica

6 Qershor, 2021 - 7:59 pm

Historia e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nis në fillim të shekullit të 20, kur një grup i vogël i shqiptarësh mbërriti në këtë vend. Në mesin e tyre ishte një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, Faik Konica, i cili u vendos në Londër, ku dhe nisi të  botonte revistën “Albania”.

Vetëm pak pas Luftës së Dytë Botërore numëroheshin rreth 100 shqiptarë në Britani. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Shqipëria, ndërsa shumë pak ishin nga Kosova.

Censusi i vitit 1991 tregon se ka pasur vetëm 338 shqiptarë të regjistruar në Angli. Në vitin 1993, shifra ishte rritur në 2,500. Shumica e tyre ishin të rinj kosovarë që i shmangeshin rekrutimit në Ushtrinë jugosllave, të cilët kishin kërkuar azil politik.

Në qershor të vitit 1996, një vendim i Gjykatës së Lartë pranoi se shqiptarët e Kosovës u persekutuan në ish-Jugosllavi. Kjo nënkuptonte se të gjithë shqiptarëve të Kosovës duhet t’i jepej leja e qëndrimit në Britani. Pas këtij vendimi, Britania u përball me një fluks të madh e të papritur të shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria, Republika e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia. Në fund të vitit 1997, në Britani jetonin rreth 30,000 shqiptarë.

Sipas censusit të viti 2011 shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar përbëjnë një komunitet prej 70,000 deri 100,000 banorësh. Në Angli e Uells jetonin 13,415 banorë të lindur në Shqipëri dhe 28,446 të lindur në Kosovë, në Skoci 196 nga Shqipëria dhe 215 nga Kosova dhe në Irlandën Veriore 55 nga Shqipëria dhe 44 nga Kosova./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme