Liam vëlla eja, këtu do jesh “taken” nga toka që u zhvatën, male që u zhveshën e pyje që u prenë

26 Shkurt, 2019 - 12:53 pm

M

Nga Briken Fejzullai

Liam vëlla, eja kur të duash!

Këtu do jesh “taken” nga kulla betoni, mbjellë krah pyjeve orbitalë.

Do jesh “taken” nga toka që u zhvatën, male që u zhveshën e pyje që u prenë nga të babziturit.

Do jesh “taken” nga lumenj të tharë nga kuçedra HEC-esh, e miliona të vjedhura nga dragonj TEC-esh.

Do jesh “taken” i dashur Liam, nga barktharë që nuk mbledhin dot as kanaçe nëpër kazanë plehrash.

Do jesh “taken” nga plaka të gjora që tërhiqen zvarrë nëse shesin qepujka, misra apo kokoshka… e “agallarë” PPP – rash, që sillen me këtë vend si ta kishin çifligun e etërve të tyre, teksa darkojnë me pushtetin e radhës.

Do jesh “taken” nga shëndetësia jonë falas e nga depozitat e ujit me orar, por të “çmimit të parë”.

Këtu do jesh “taken” nga liria e blerë e medias apo nga frika që ka dikush që punon në administratë, për të bërë qoftë edhe një “like” tek një postim që i duket i drejtë, nga frika se mos humbet vendin e punës.

Eja Liam vëllai, së këtu do jesh “taken” nga kokëcepsha të pa larë, që e filluan politikën me brekë Korçe dhe me pantallona teritali apo fustane të qepura tek rrobaqepësja e lagjes… ndërsa sot na japin mend, mbathur me Victoria’s Secret apo Calvin Klein nën fustane dhe kostume “firmato”, ndërkohë që shpalosin çanta, ora, diamante e bizhuteri floriri vezullues, të blera me gjakun e popullit që s’bzan.

Këtu do shohësh sesi burra “me demek” shteti, martohen me lekët e tezes, vishen me lekët e mamit, ndërtojnë me lekët e hallës, jetojnë me lekët e gruas… ndërkohë që kryefamiljarë krenarë, varin veten, sepse nuk e durojnë dot turpin e burgut për 30 $ energji të papaguar.

Këtu i dashur mik, do të jesh “taken” nga drejtësia përhershmërisht e përkohshme.

Eja e rri rehat këtu Liam, sepse ata që rrëmbenin vajzat si jot bijë në film e i drogonin, përdhunonin, shisnin apo vrisnin nëse nuk pranonin të shkonin prostituta, nuk ke për t’i gjetur rrugëve.
Eja e rri rehat… sepse ne, horrat, i kemi mbyllur brenda. Po jo brenda në burg siç bën bota, or lum miku. Ne i mbyllim në parlament, që pasi të na vjedhin, plaçkisin, pijnë gjakun… të na tallim duke na marrë fytyrën e duke na shpërndarë spote me ty, për t’i dhënë hov turizmit “10 milonësh”.

Ps. “I am Taken” nga vendi im, i dashur Liam, ndaj t’i shkruajta me sinqeritet këto dy rreshta. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme