“Lonely Planet” artikull për Butrintin: Udhëtohet edhe nëpër kohë

26 Maj, 2023 - 2:31 pm

Një nga kompanitë më të mëdha mediatike që merret me promovimin e dhe kontrollin e cilësisë së turizmit në të gjithë botën, “Lonely Planet”, ka bërë një artikull për qytetin antik të Butrintit, të cilin e ka titulluar “Në Butrint të Shqipërisë udhëtohet (edhe) nëpër kohë”.

Shkrimi jep një panoramë të gjerë të qytetit të lashtë, ku përshkruan kohën se kur daton, vendndodhjen gjeografike, por gjithashtu citon edhe mitologjinë klasike, konkretisht poetin e lashtë romak Virgjilin.

Në artikull shkruhet: “Nga këta shekuj të parë, ka ende gjurmë të dukshme në zonën arkeologjike. Një pyll i dendur dhe i qetë dhe, në mes të tij, pamje të arkitekturës antike. Këto janë gjurmët e kalimit të qytetërimeve të shumta, të cilat nga shekulli i VIII pr.e.s. e tutje, u alternuan në këtë segment të bregdetit në jug të Shqipërisë.

Në këtë shtrirje jugore të Shqipërisë, jo shumë larg kufirit me Greqinë, bregdeti krijon një hyrje të thellë që i ngjan një liqeni të brendshëm. Është liqeni i Butrintit në fakt dhe lidhet me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit.

Pikërisht përgjatë rrjedhës së këtij kanali të qetë ndodhet një gadishull i vogël, i gjelbëruar dhe i rrumbullakosur, i pushtuar tërësisht nga Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1992. Sipas mitologjisë klasike, megjithatë, të mërguarit që u larguan nga Troja pas rënies së saj do të kishin themeluar qytetin e njohur në kohët e lashta si Buthrotum dhe është gjithmonë poeti Virgjili ai që kujton se Enea vizitoi Butrintin gjatë udhëtimit të tij në Itali”.

Në artikull nuk mungojnë as të dhëna historike që janë shkruar pë qytetin antik të Butrintit, si periudha kur ai u pushtua nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, ku citohet: “Por historia e Butrintit nuk përfundon me Perandorinë Romake. Qyteti ishte një rezidencë peshkopale në shekullin e 5-të, më pas u mor nga venecianët, iu dorëzua Napoleonit, më në fund u pushtua nga Ali Pasha në fillim të shekullit të 19-të”.

Artikulli përfundon shkrimin me një rekomandim për të gjithë turistët, se kur mund të jetë koha e duhur për të vizituar këtë qytet antik, e ku nuk lë pa përmendur as bregdetin e Sarandës, si një destinacion që nuk duhet humbur: “Rreth njëzet kilometra larg Butrintit ndodhet qyteti i Sarandës, një destinacion kryesor për ata që ëndërrojnë një pushim plazhi mes plazheve të bardha dhe ujërave të kristalta.

Vlen të organizohet një vizitë në zonën arkeologjike të Butrintit në sezonin e ulët ose, nëse kjo nuk është e mundur, në kohë më pak të ngarkuara, si në mëngjes herët, për të shmangur turmat”./ rtsh / KultPlus.com

Të ngjajshme