Më shumë se 16 mijë vizitorë në Apoloni nga janari në prill

14 Maj, 2025 - 10:45 am

Parku Arkeologjik i Apolonisë ka pritur 16525 vizitorë, vendas e të huaj, gjatë periudhës janar-prill 2025. Shifra u publikua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.

Kjo periudhë kohore ka shënuar rritje vizitueshmërie në të gjitha monumentet e kulturës në vend dhe qyteti antik i Apolonisë është ndër më të vizituarit për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Historia e Apolonisë është e ndërlikuar dhe interesante, dhe vizitorët kanë shumë për të kuptuar dhe eksploruar në këtë vend të mrekullueshëm.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot./ KultPlus.com

Të ngjajshme