Mit’hat Frashëri, Mehmet Frashëri dhe Murad Toptani

26 Tetor, 2021 - 9:55 am

KultPlus ju sjell një fotografi të rrallë në të cilën shihen Mithat Frashëri, Mehmet Frashëri dhe Murad Toptani. Fotografia është realizuar në Stamboll, në vitin 1899 ndërsa është marrë nga Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and histori.

Mit’hat bej Frashëri (1880-1949) ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nga familjet e Frashërit. Ai ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Lindi në Janinë më 25 mars 1880.

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Ndërsa Mehmet Frashëri është vëllau i vogël i vëllezërve Frashëri. Edhe Mehmet bej Frashëri ishte gjithashtu një aktivist i lëvizjes kombëtare mbar shqiptare. Prej këtij të fundit dalin trashëgimtarët e drejtpërdrejtë te trungut te Halit beut, Hajri Frashëri, Hysref Frashëri, Redi Frashëri dhe Jurgen Frashëri.

Murad bej Toptani, (1866-1918) ishte atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, skulptor shqiptar. Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht. Krijimet e tij janë përmbledhur në vëllimin, “Vjersha e Murat Toptanit”, ndërkohë që në Galerinë e Arteve në Tiranë ruhet një bust i Skënderbeut, i realizuar prej tij në vitin 1917, si dhe një karikaturë me akuarel “Premtimet e Anglisë”.
Lindi në Aká (sot Akyaka, Turqi) më 13 korrik, i biri i Said Sermedin bej Toptani dhe Hanifesë, vajza e luftëtarit nga Kaukazi Ahmet Pedis Kartajit. I ati i tij, duke qenë prej oxhakut me ndikim të Toptanve dhe prej veprimtarive nacionaliste, ishte internuar ku dhe u njoh me vjehrrin e tij të internuar për po të njëjtën arsye.

Në 1878 ai u regjistrua në shkollën “Madamë Fyres”. Në atë shkollë studionte dhe Asije Frashëri, vajza e Sherif Frashërit, vëllait të madh të Frasherllinjve, e cila më vonë, u bë bashkëshortja e tij. Asija kishte mbetur jetime dhe u rrit nga xhaxhai, Naimi, dhe kjo është arsyeja pse njihej si vajza e madhe e Naimit ose pse e quajnë Murad bej Toptanin si dhëndrin e poetit të madh./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme