“Mrizi i Zanave” simbol i shijeve magjepsëse shqiptare

30 Nëntor, 2018 - 4:29 pm

Në Fishtë të Gjergjit, poezia ende jehon, megjithëse këtë herë jo përmes vargjeve, por përmes shijeve të ushqimit.

Altin e Anton Prenga më së miri kanë zbatuar konceptet e agroturizmit dhe të slow food, që të cilat mund të konsiderohen si lëvizje shoqërore me synim promovimin dhe shërbimin e ushqimeve lokale si dhe përgatitjen e tyre sipas traditës.

Një ditë e zakonshme për vëllezërit Prenga fillon në fermë, me ç’rast bëjnë grumbullimin e të mirave për furnizim ditor, raporton KTV.

Megjithëse kanë tetë hektarë të mbjellë si dhe një numër të madh të bagëtive e të shpezëve, Mrizi i Zanave, furnizohet nga rreth 400 familje vendase e të rrethinës me produkte të ndryshme. Kësisoj, ata jo vetëm se ofrojnë shije lokale, por promovojnë ato globalisht, njëherësh, ndihmojnë ekonomitë familjare të rrethinës.

Tutje pas furnizimit, pjesa e shijes, ajo që e veçon Mrizin e Zanave, është kuzhina, prej nga dalin recetat unike e që tërheqin turistët nga mbarë bota ta vizitojnë Fishtën poetike të Gjergjit dhe të Mrizit të Zanave.

Miti i Mrizit të Zanave, për tash e tetë vjet është realitet i gurmanëve të ushqimit, që nga anekënd bota, festojnë ushqimet tradicionale shqiptare, të cilat vijnë në trajtë bashkëkohore nga ferma në tavolinë, për të zgjuar shqisën tuaj të shijimit si rrallëherë. /KultPlus.com

Të ngjajshme