Agron Polovina lë detyrën si drejtor i Qendrës Muzeore në Berat

7 Maj, 2023 - 10:31 pm

 Pas 9 vitesh në krye të Qendrës Muzeore në Berat, piktori i njohur Agron Polovina lë detyrën për të vijuar me të tjera projekte.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Margariti shprehu mirënjohjen për punën e Polovinës në krye të Qendrës Muzeore të Beratit duke e cilësuar si bashkëpunëtor të vyer.

“Mirënjohje për punën në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për nismat që kemi çuar bashkë përpara dhe suksese në rrugën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.

Polovina më parë ka drejtuar edhe Galerinë e Arteve, Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë Rinore të Bashkisë, të gjitha në Berat. Ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, Dega Pikturë dhe Grafikë, në vitin 1993. Ka marrë pjesë në projektet për restaurimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme