Mbi 12 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar, gjatë shtatorit

17 Tetor, 2023 - 12:01 pm

Muzeu Historik Kombëtar në muajin shtator pati rritje të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëhet me dije nga vetë Muzeu Historik Kombëtar, i cili publikoi online dhe numrin e vizitorëve në muajin shtator.

“Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 1 muaj. Për muajin shtator 2023 me 12214 vizitorë në total. 57% më shumë vizitorë në total, në krahasim me muajin shtator të vitit 2022 me: 7,793 vizitorë në total”, shkruan MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij.

Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme