Muzetë e Krujës me 4 mijë vizitorë vendas e të huaj vetëm në qershor

27 Qershor, 2021 - 12:26 pm

Pavarësisht temperaturave të larta, muzetë e Krujës vazhdojnë të frekuentohen çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se ”vetëm në muajin qershor muzetë e Krujës janë vizituar nga rreth 4 mijë vizitorë vendas e të huaj”.

Sipas tij, grupet me turistë nga vendi, por edhe vende të ndryshme të botës po shtohen dita ditës.

“Shumica e vizitorëve janë nga Ukraina, Izraeli, Serbia, ndërsa nuk mungojnë edhe vizitorët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës”, – tha Hafizi.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik bëri të ditur gjithashtu se “nga fillimi i vitit numri i vizitorëve ka patur një tendencë në rritje nga dita në ditë. Nga janari deri në qershor këta muze i kanë vizitua 13 mijë vizitorë”, 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”, – shtoi ai.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme