27 Qershor, 2025 - 1:32 pm
Në kuadër të projektit “Origjina dhe artizanati”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar publikoi imazhet e një tjetër objekti nga fondi i tij i vyer.
Bëhet fjalë për një kryq me origjinë nga fshati Dishnicë i Korçës, i cili mbart një gdhendje druri të jashtëzakonshme brenda trupit metalik.
Në qendër të kryqit është gdhendur me një mjeshtëri të lartë artistike, skena e pagëzimit. Detajet janë të jashtëzakonshme sidomos duke patur parasysh përmasat në miniaturë të kryqit.
Gdhendja e drurit është një nga traditat e hershme, e realizuar ndër shekuj. E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit tonë, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.
MKAM bën të ditur se motivet gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri, do të jenë në fokusin e programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin./ KultPlus.com