займ на карту онлайн потребительский кредит

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative

30 Tetor, 2020 - 12:56 pm

I vendosur brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit, selisë 82-vjeçare të Bankës Qendrore, Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015, me funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative.

I konceptuar si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes, midis të prekshmes dhe virtuales, midis prehistorikes dhe teknologjisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë,

synon të informojë publikun mbi të gjitha aspektet e parasë, si dhe fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Në katin e parë të tij, ekspozita e përhershme prezanton koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këta dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.

Falë edhe mbështetjes së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë së Kulturës, koleksioni i këtij Muzeu prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse, si 4 sëpata bronzi, pjesë e Thesarit të Torovicës, të cilat i përkasin shekullit X p.e.s dhe dëshmojnë mbi këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit, por edhe thesare të tjera monedhash antike.

Kati i dytë i Muzeut prezanton historinë e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Me një fokus të veçantë për edukimin financiar të publikut, Muzeu ynë vjen i pajisur me hapësira edukative me informacion dedikuar fëmijëve dhe të rinjve. Ndërkohë, ekspozita e përkohshme e vendosur në këto ambiente e njeh publikun me serinë e re të kartëmonedhave shqiptare të qarkullimit. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme