9 Korrik, 2025 - 3:20 pm
Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri i Shën Mërisë përbën një nga komplekset fetare më mbresëlënëse. Ndërtuar qindra vjet më parë, ai mban nën vete, si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apolonisë, nga i cili ato pak rrënoja te mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik.
Në këtë kryevepër të artit bizantin, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese. Sektori i Veprave të Artit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po zhvillon punime konservimi në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit.
Kjo murale, e krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII përfaqëson një nga veprat më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke zënë një vend të veçantë në historinë e artit bizantin në Shqipëri.
IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit.
Mozaikët pranë trapezërisë (mencës së murgjëve), portiku i kishës me kolonadën elegante prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale së bashku krijojnë një kompleks të jashtëzakonshëm dhe tejet tërheqës.
Ndërthurja unike e këtij ndërtimi, mes pasurisë së Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik, pozicionuar brenda Manastirit, e kthejnë kompleksin në një pikë të rrallë referimi për vlerat historike, arkitekturore, artistike dhe shpirtërore që bart.
Andaj, edhe kjo ndërhyrje konservuese synon ruajtjen e kësaj pasurie kulturore, duke e mbrojtur nga dëmtimet e kohës dhe duke e rikthyer në vëmendjen e publikut e studiuesve. / KultPlus.com