Në Shqipëri hapet ekspozita “Unë jam shqiptar” (FOTO)

19 Dhjetor, 2017 - 1:00 pm

Hapet Ekspozita kushtuar Migracionit Shqiptar, iniciativë e Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, në bashkëpunim me Muzeun Kombetar, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, e cila tregonte nëpërmjet një panoramimi fotografik historikun e migrimit të diasporës shqiptare që pas largimit të Skënderbeut e deri në ditët e sotme, ishin përfaqësues të diasporës shqiptare, diplomatë, historianë, personalitete të botës së artit.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

“Në kuadër të 18 dhjetorit, “Ditës Ndërkombëtare të Emigracionit”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim më Ministrin e Shtetit për Diasporën çel ekspozitën “Unë jam shqiptar”, ku përfshihen materiale fotografike dhe objekte muzeale, që kanë të bëjnë me disaporën shqiptare. 18 dhjetori është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si “Dita Ndërkombëtare e Emigracionit”.
Kurse Inva Mula, sopranoja shqiptare me famë botërore tha “Gjithçka që unë e kisha marrë nga Tirana ime, nga shkolla ime shqiptare nga muzika, nga kompozitorët dhe nga pedagogët tanë të shkëlqyer. Kjo ëndërr e cila vazhdon dhe në ditët e sotme, u bë ajo që unë krenohesha që isha shqiptare, kudo në botë. Që në fillimet e karrierës time, tek të gjithë konkurset ndërkombëtare që fitova, filluan të mos përmendnin më emrin tim, por të më thonin “shqiptarja”, sepse pata fatin të isha shqiptarja e parë, e cila dola nga një botë shqiptare, e cila ishte komplet e panjohur atje ku unë isha në botën e perëndimit. Në fillim më vinte çudi që unë isha kjo përfaqësuesja shqiptare, pastaj më vinte mirë që Shqipëria u bë e njohur nga arti, nga muzika dhe pas meje erdhën plot artistë të shkëlqyer dhe sot ne jemi krenar të gjithë që jemi shqiptarë dhe jemi në të njëjtat valë me të gjithë artistët ndërkombëtarë. Sot Shqipëria nuk njihet vetëm nga Inva, por nga plot talente, të cilët na bëjnë krenarë”, ka thënë ajo.



Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha “Në fillim dua të falënderoj Ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majkon, i cili e ka kuruar me shumë kujdes projektin e Ekspozitës kushtuar diasporës shqiptare. Një pjesë e agjendës sonë aktive, për të promovuar Tiranën, kanë qenë dhe vizitat me Kryetarë të Bashkive të Kryeqyteteve të ndryshme Europiane. Ajo që kam konstatuar me kënaqësinë më të madhe, duke filluar nga Ankaraja ku ishim së fundmi, ku Kryetari i Bashkisë ishte shumë krenar për shoqatën “Sami Frashëri” dhe deri në Belgjikë, ku hapëm panairin e Krishtlindjeve, ku Tirana kishte një pavion të veçantë dhe ku Kryetari i Bashkisë së Brukselit ishte krenar për Shoqatën “Faik Konica”, me “Vatrën” në Amerikë dhe me një pafundësi organizimesh, në fakt të japin idenë që ne jemi një vend me disa dhjetra-milionë banorë, për të kuptuar që jemi shumë pak, por që prej rrethanave të ndryshme historike, jemi shpërndarë kudo në botë dhe jemi krenarë që jemi shqiptarë”, ka përfunduar Veliaj./KultPlus.com

Të ngjajshme