Nis së shpejti restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit

11 Maj, 2022 - 10:00 am

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Punimet e restaurimit do të kryhen përmes programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

EU4Culture bën të ditur se “Muzeu Arkeologjik i Durrësit pas restaurimit do të tërheqë më shumë turistë vendas dhe ndërkombëtarë, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së komuniteteve lokale”.

“UNOPS në Shqipëri fton të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin propozimin e tyre brenda datës 23 maj 2022. Një takim paraprak e një inspektim i sitit është i detyrueshëm dhe do të mbahet më 17 maj në Muzeun Arkeologjik në Durrës”, thekson EU4Culture .

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve, që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Tashmë Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Muzeu Arkeologjik në Durrës ka objekte nga greqishtja e lashtë, periudha Romake dhe periudha mesjetare. Shumica e objekteve në muze janë gjetur në qytet edhe rastësisht nga banorë të vendit, të cilët gërmonin mjedise për vendosjen e themeleve të larta. Në ambientet e tij gjenden mijëra objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen turistëve sidomos atyre të huaj./ atsh / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme