Pamje e re për kalanë e Beratit, atraksioni turistik i qytetit

30 Tetor, 2018 - 6:20 pm

Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës, ashtu si në fillim të sezonit turistik, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vazhdon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat bën të ditur sot se po vijojnë punimet e pastrimit, konservimit dhe restaurimit të kullave dhe mureve të kalasë së Beratit.

Sipas DRKK-së, janë bërë pastrime nga bimësitë dhe hedhurinat (mbetje të materialeve të ndryshme ndërtimore), konsolidime në krye të mureve dhe kullave.

Pjesë e punimeve janë edhe restaurimet në muraturat e gurit, si dhe plotësime të zgavrimeve në to.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet turistike më të vizituara ku çdo vit e më shumë tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar, ku vetëm për muajin shtator të këtij viti arriti shifrën prej 15.548 vizitore duke e çuar numrin e vizitorëve për periudhën janar – shtator 2018 në 110.481 vizitorë vendas dhe të huaj, statistikë kjo e cila shpreh më së miri interesin në rritje për turizmin dhe trashëgiminë kulturore, shkruan ata./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme