”Shtëpia me Gjethe” vizitohet nga rreth 7 mijë turistë të huaj

7 Shtator, 2018 - 11:09 am

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Kulturës, gjatë periudhës janar-gusht muzeu u vizitua nga 6651 turistë të huaj dhe 4633 vendas. Ndërsa vetëm në muajin gushtë të 2018, muzeu u vizitua nga 2859 vizitorë, ndërsa në 2017 nga 1528 vizitorë, pra ka një rritje prej 81% të vizitorëve në muajin gusht.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” u vizitua nga vizitorë të kombësive të ndryshme si; francezë 666, italianë 426, gjermanë 157, spanjollë 120, holandezë 113 , amerikanë 108, anglezë 85, australianë 58, belgë 49, të tjerë 408. Sipas MK-së, të ardhurat gjatë periudhës janar-gusht 2018 ishin 1.553.470 lekë , 87,45% ose 724.750 lekë më shumë.

Ndërsa gjatë periudhës qershor-gusht 2018/qershor -gusht 2017, 61,6% ose 2400 vizitorë më shumë . Gjatë kësaj periudhe në 2018 u vizitua nga 6269 vizitorë, ndërsa në 2017 nga 3896 vizitorë.
Shpërndarja e vizitorëve të huaj sipas kombësisë janar-gusht 2018; italianë 1389, francezë 1125, amerikanë 735, anglezë 652 ,gjermanë 612 holandezë 540, spanjollë 271, suedezë 187, danezë 178, të tjerë 2216.
Shumica e vizitorëve të huaj në janar -gusht kanë qenë italianë, francezë dhe amerikanë. Të ardhurat për muajiin qershor- gusht 2018 dhe qershor-gusht 2017 kanë qenë 59.4% ose 1.254.950 lekë më shumë, në total 3.368.010 lekë.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është i hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017. Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panaromë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka pasur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit./k.s/j.p/ KultPlus.com

Të ngjajshme