Papa i madh shqiptar përballë turqve

5 Janar, 2018 - 9:00 pm

Në kohën kur turqit ishin afruar shumë pranë dyereve të Evropës dhe synonin drejt Vatikanit, Papa Klementi besonte se mund të shfrytëzonte çastin politik e fetar, për t’i rikthyer Selisë së Shenjtë rolin kryesor në përpjekjet për t’i kapërcyer përçarjet ndërmjet fuqive katolike.

Por veprimtaria e tij e dendur diplomatike nuk i arriti rezultatet e dëshiruara, gjë që përfundoi me thellimin e mëtejshëm të krizës: vendet katolike të Evropës e përdorën mbrojtjen kundër turkut, si mjet për të thelluar pretendimet e tyre e për ta konsoliduar politikën antikuriale.

Pasi sulltani i shpalli luftë Venedikut (dhjetor 1714), i dërguari papnor Marcolini dhe nunci Spinola, u pritën ftohtë nga perandori, i cili nuk tregoi kurrfarë interesi derisa, pas rënies së Moresë, Papa i dha lejën të mblidhte të dhjetat për tre vjet në trojet perandorake të përtejalpeve, rreth 200.000 fiorina. Vetëm atëhere u zotua t’i mbronte pronat italiane nga çdo kërcënim. Këto masa kontribuan që, në vitin 1716, të lidhej aleanca për mbrojtjen me Republikën e Shën Markut dhe të arriheshin fitoret e princit Eugjen në Petervaradino e Temesvar e, një vit më pas, edhe fitorja e Beogradit.

Sipas Programit Shqip të Radio Vatikanit, po më 1716, flota e krijuar nga Papa ia doli mbanë të çlironte Korfuzin nga pushtimi turk e, nën ndikimin e këtij suksesi të pjesshëm, të formonte një këshill të posaçëm, që u kujdes t’i thellonte përpjekjet për mbrojtjen e brigjeve adriatike. U bënë edhe përpjekje të reja financiare: u dorëzuan në Venedik 100 000 fiorina ari e perandori u autorizua t’i vinte klerit në Milano, Napoli e Mantova një taksë të jashtëzakonshme prej 500.000 skudash.

Në vitet 1715-1720 marrëdhëniet sponjollo-papnore e vunë edhe më tepër në pah mungesën e largpamësisë të politikës së Klementit XI. U krijuan çaste të reja tensioni, pasojë e të cilave qe pasiguria e Romës dhe paaftësia për të siguruar informacionin e mjaftueshëm për situatën.

*****

Klementi XI, i shqetësuar nga kritikat e pashmangshme dhe akuzat për marrëveshje të fshehta nga ana e Vjenës, i kërkoi më kot Filipit V evakuimin e menjëhershëm të Ishullit dhe bëri çmos ta qetësonte diplomacinë perandorake, që kërkonte ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Madridin dhe zgjedhjen e Czackit kardinal.

Më 26 gusht 1717 Papa deshi ta ratifikonte konkordatin me Spanjën, duke kërkuar të gjitha të drejtat e mohuara të Kishës e duke i caktuar Alberonit kryeipeshkvinë e Seviljes, ndonëse i kishte konfirmuar atë të Malagës. Mbreti, pa i ndërprerë planet e luftës kundër Sicilisë, reagoi duke e mbyllur gjykatën e nunciaturës e duke sekuestruar disa nga pasuritë e Kishës.

Në këto çaste fuqitë e mëdha rinisën konfliktet e ashpra, të cilat Papa bëri çmos t’i sheshonte. Vjena u qetësua vetëm pas emërimit të kardinalit Spinelli në krye të nunciaturës. Prelati i lartë shikohej me sy të mirë nga perandori, gjë që krijoi mundësitë për rihapjen e selisë diplomatike të Vatikanit. E hyrja e Filipit V në aleancën katërpalëshe (20 janar 1720), i fashiti në një farë mase edhe konfliktet ndërmjet fuqive katolike evropiane. Ndërkaq Kongregacioni kardinalor nisi një proces gjyqësor kundër Alberonit.

Nëse në këndvështrimin e ushtrimit të autoritetit tokësor Papnia e Klementit ishte plot paqartësi e dështime, në sferën fetare e dogmatike qe krejt ndryshme. Ulja e këtij Pape në fronin e Shën Pjetrit, i dha fund grindjeve doktrinore tridhjetëvjeçare, duke i siguruar Kishës një periudhë të plotë paqeje e duke thelluar qëndrimin e ashpër të Kuries Romake kundër zhansenistëve.

Të ngjajshme