Parku Arkeologjik i Apolonisë, mundësi për të njohur trashëgiminë kulturore

8 Gusht, 2022 - 6:45 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka ftuar qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur vendin tonë për të pushuar në këtë sezon veror, që të vizitojnë Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Margariti ka theksuar në një postim në rrjetet sociale se, “gushti është muaji i familjes dhe pushimeve së bashku”.

“Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë është një mundësi për të njohur trashëgiminë kulturore si një mbivendosje qytetërimesh dhe kulturash, që i kanë mbijetuar shekujve”, shprehet Margariti.

Margariti ka deklaruar më herët se numri i vizitorëve në objektet e trashëgimisë kulturore u dyfishua në krahasim me një vit më parë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Kulturës në vitin 2020 objektet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga 42,538 vizitorë, në vitin 2021 nga 106,534 ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 numri i vizitorëve arriti në 213,519 ose dy herë më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

Ministria e Kulturës përveç projekteve të rijetësimit të siteve të trashëgimisë kulturore, ka ndërmarrë edhe nismën për popullarizimin e tyre duke i hapur falas për qytetarët të dielën e fundit të çdo muaji.

Parku Arkeologjik i Apolonisë është një monument i trashëgimisë kulturore, afër Pojanit, në qarkun e Fierit./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme