Pasurohet fondi mbi Ismail Qemalin në Arkivin e Shtetit

9 Prill, 2024 - 4:30 pm

Studiuesi Evarist Beqiri, i cili nisur nga hulumtimi vetjak, ka vendosur t’i besojë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë. Këto materiale, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane.

DPA fton çdo studiues t’i drejtohet sallës së Studimit në Tiranë, ose Këndeve Arkivore të çelura në mbarë vendin, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Greqi dhe në Italinë e Jugut për të mësuar më tepër mbi kulisat që i paraprinë Kuvendit të Vlorës.

“Rrugëtimi i përveçëm i kryeministrit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, mes orvatjeve dhe mëtimit të pareshtur për mëvetësinë e Shqipërisë, do jetë ngahera një lëm kërkimor për t’u shteruar e për të nxjerrë mësime të vyera”, shkruan DPA në faqen e saj online, duke e konsideruar veten si rojtare dhe shërbestare të pasurisë dokumentare.

Kohët e fundit fondet e DPA-së janë pasuruar nga disa dhurime, të cilat kanë shërbyer edhe si shtysa për dhurime të tjera si dhe për nisjen e hulumtimeve të reja. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme