Prestigjiozja amerikane: Rama, ish-kryebashkiaku që transformoi Tiranën në një metropol të fuqishëm

23 Maj, 2018 - 11:30 am

Prestigjiozja amerikane “Lonely Planet” ka renditur Tiranën ndër 10 vendet më të mira të Europës për t’u vizituar nga turistët.

Në artikullin e saj, “Lonely Planet” shkruan gjithashtu se Tirana është vërtet një metropol plot energji që ka përjetuar një transformim rrënjësor, falë ish-kryebashkiakut që tani është kryeministri i Shqipërisë.

“Ai i ktheu ndërtesat e mërzitshme dhe gri, në disa pallate shumëngjyrëshe, inkurajoi banorët që të linin makinat për të përdorur biçikletat, dhe rivendosi fokusin në hapësirat e gjelbra të qytetit. Rezultati është vërtet bindës”, thotë “Lonely Planet”.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook shkrimin e “Lonely Planet”.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën që të shkoni vetë deri tek numri 10 në listën e dhjetë vendeve më të mira për t’u vizituar këtë vit në Europë e pastaj t’i lini të vazhdojnë “kokat e mëdha” të klubit të llafeve të Tiranës të thonë se Tirana është bërë qytet i pajetueshëm ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama.

“Dikush vështirë se do të impresionohej lehtë, nëse do t’i tregonin një destinacion udhëtimi më të mirë sesa Tirana, një qytet që gjendet mes brigjeve të Adriatikut dhe Alpeve Shqiptare. Por ky nuk është thjesht një qytet hyrës për në këtë vend, është vërtet një metropol plot energji që ka përjetuar një transformim rrënjësor, falë ish-kryebashkiakut që tani është kryeministri i Shqipërisë. Ai i ktheu ndërtesat e mërzitshme dhe gri, në disa pallate shumëngjyrëshe, inkurajoi banorët që të linin makinat për të përdorur biçikletat, dhe rivendosi fokusin në hapësirat e gjelbra të qytetit. Rezultati është vërtet bindës”, thotë “Lonely Planet”.

Prestigjiozja evidenton mrekullinë që ofron mali i Dajtit, ku nuk duhet humbur edhe një udhëtim me teleferik për të shijuar pamjen panoramike dhe më pas për të shijuar ushqimin tradicional. Mbrëmjet në zonën e njohur si ish-“Blloku”, janë një tjetër element që veçohet nga “Lonely Planet”, ku turistët mund të shijojnë atmosferën fantastike. “Një ditë tipike në Tiranë, përfshin një xhiro me teleferik nga qendra e qytetit në majën më të lartë, në malin e Dajtit. Pamje panoramike, eksperiencë me ushqim tradicional dhe bio, në restorante lokale, dhe më pas një tur në baret e shumta natën, në vende ku shërbehen koktejle, dhe bare të dizenjuara në bazë të trendit të fundit në lagjen e ish-Bllokut, njëherë e një kohë, territor i bosave të korruptuar komunistë”, shkruhet më tej në artikullin e një prej faqeve më të njohura në botë për turizmin.

Të ngjajshme