Programi “Smile Albania” do vazhdojë misionin edhe vitin e ardhshëm

1 Nëntor, 2018 - 9:03 am

Sezoni i turizmit veror u mbyll me një bilanc mjaft pozitiv përsa i përket numrit të turistëve që vizituan vendin tonë, por edhe të shifrave ekonomike që u rritën në ekonominë shqiptare.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses pati dhe projekti i “Smile Albania” në pritjen, orientimin dhe menaxhimin profesional të vizitorëve të huaj, ku në radhë të parë vunë buzëqeshjen e tyre, por dhe të gjithë shqiptarëve.

1000 të rinj, u përfshinë në promovimin e turizmit duke ndihmuar në organizimin e mikpritjes, dhënies së informacioneve të nevojshme tek turistët, zbuluar trashëgiminë kulturore, reklamimin e bukurive të natyrës, por edhe për të promovuar ndjeshmërinë në mbrojtjen e plazheve tona.

Të rinjtë e Smile Albania në gjithë Shqipërinë morën pjesë në një konkurs dhe fituesit e këtij projekti u shpallën të rinjtë e Smile Albania në Durrës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka falenderuar të rinjtë e Smile Albania në Durrës.

‘Të rinjtë e Smile Albania në Durrës, në një udhëtim vetëm për ta në Valbonë, si fitues të projektit Smile Albania 2018. Faleminderit për punën tuaj të palodhur që vijon vullnetarisht dhe me përkushtim për çdo herë që turistët e huaj mbërrijnë në portin e Durrësit”, shprehet ministri.

”Programi kombëtar Smile Albania do të vazhdojë misionin e tij, edhe vitin e ardhshëm me shumë më tepër angazhim nga të rinjtë dhe zgjerim të zonave turistike. Ekipi i Smile do të jetë një mbështetje e fortë në mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe ruajtjen e mjedisit”, tha Klosi.

Të rinjtë e “Smile Albania” përveç promovimit të turizmit dhe mirëpritjes së vizitorëve, punuam për t’i treguar turistëve edhe një Shqipëri të pastër.

Kjo nismë e ndërmarrë bëri të mundur që turistët e huaj që vizituan vendin tonë të shihnin një Shqipëri të pastër, turistike dhe ambientale.

Pra të rinjtë e “Smile Albania” i mirëpritën turistët jo vetëm me buzëqeshje, por edhe me pastrimin e zonave të mbrojtura. /a.a/ /a.g/A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme