Promovohet katalogu i ekspozitës arkeologjike ‘Dardania Antike’, 676 eksponentë ende në Serbi

25 Qershor, 2021 - 6:27 pm

Era Berisha

Ekspozita arkeologjike ‘Dardania Antike’ në Muzeun Kombëtar të Kosovës, fillimisht ishte përgatitur me rastin e shënimit të dekadës së parë jubilare të Pavarësisë së Kosovës duke u hapur për herë të parë për publikun në datën: 23 shkurt 2018, ku që nga ajo ditë deri në fund të të njëjtit vit, ishin mbi 30,000 vizitorë, kurse tani kësaj ekspozite i është formuar katalogu i saj, e punuar nga arkeologët: Arben Hajdari dhe Milot Berisha, me ç’rast sot edhe u promovua, shkruan KultPlus.

Ky katalog shpalos repertorin arkeologjik të zgjedhur dhe të pasur me artefakte dhe ekofakte të paraqitura në këtë ekspozitë, e që daton kronologjikisht nga periudha neolitike deri në Mesjetën e vonë, një periudhë kohore rreth tetë mijë vjetësh. Ekspozita, përkatësisht pavijoni i koleksionit të pasur arkeologjik të Kosovës, zbulon kronologjinë historike më emblematike, një rrëfim tregimtar të prerjes materiale dhe shpirtërore të civilizimeve antike të Kosovës.

Të gjitha këto koleksione arkeologjike të trashëgimisë kulturore të Kosovës, pasqyrojnë identitetin e pasur kulturor dhe historik të vendit duke përfshirë artefakte nga periudhat si: periudha neolitike, periudha kalkolitike, Antikiteti, epoka e bronzit, bakrit dhe hekurit, periudha klasike, krishterimi, periudha helenistike dhe Antikiteti i vonë. Andaj, mbrojtja e trashëgimisë kulturore arkeologjike luan rol kyç në promovimin e paqes, demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm duke nxitur kështu tolerancë, dialog ndërkulturor dhe ndërfetar dhe mirëkuptim të ndërsjellë e në të njëjtën kohë pasqyron dëshmitë materiale nga e kaluara duke u shndërruar në një aset kombëtar që dëshmon për vlerën e civilizimit dhe kulturës në vendin tonë.

Po ashtu, duke pasur parasysh rrethanat e krijuara gjatë viteve të fundit si pasojë e luftërave, krizave ekonomike dhe shpërthimin global të pandemisë, promovimi i trashëgimisë nxit ndjenjën e identitetit, kujtesën kolektive dhe mirëkuptim të ndërsjellë në mes të komuniteteve.

Fillimisht, fjalën e parë e morri drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth rëndësisë së madhe për Kosovën, që vjen si pasojë e këtij katalogu.

“Katalogu ka një rëndësi të madhe për historinë e Kosovës në përgjithësi. Eksponentët e prezantuar në këtë katalog, një pjesë e tyre janë të ekspozuara në ekspozitën arkeologjike në katin e parë të Muzeut por fatkeqësisht këta eksponentë janë marrë nga pushtuesit serb gjatë viteve të 90-ta dhe nuk janë kthyer më në vendin tonë”, thotë Leci.

Sipas tij, duke u bazuar në dokumentet që posedohen, Muzeu Kombëtar i Kosovës me datë 19.09.2021, ka bërë kërkesë zyrtare ndaj institucioneve përkatëse që eksponentët arkeologjik të kthehen në vendin e origjinës sepse po mbahen padrejtësisht në Serbi.

“Për ti kthyer këto eksponentë në Kosovë, jemi drejtuar ndaj organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, përfundon Leci.

Ndërsa, citimi i fjalëve të fundit në këtë katalog si dhe paraqitja thelbësore e tij, erdhi nga profesori Arsim Canolli.

“Zemra e një ekspozite arkeologjike është lokaliteti arkeologjik, trupi i saj është depoja e saj ndërsa shpirti i ekspozitës është vitrina e saj. Muzeu ka një zemër të madhe arkeologjike sepse mban në gji, artefakte të një morie lokalitetesh arkeologjike prej periudhës neolite e këndej. Por, trupi është shkëputur e shpirti është lodhur sepse një pjesë e madhe e artefakteve mbahen peng në Serbi që nga qershori i vitit 1999”, thotë Canolli.

Sipas tij, këto fjalë të lartpërmendura gjenden në faqen e fundit të këtij katalogu e që duhet të jenë fjalë e thirrja kryesore që duhet të bëhet çdo ditë derisa Muzeut ti kthehen këto artefakte.

“Katalogu paraqet një narracion kronologjik, përmbajtjes së kësaj ekspozite bazuar në referencë shkencore, por të adaptuar si tekst për lexuesin e vizitorin e zakonshëm dhe ilustruar me fotografi e hartëza të lokaliteteve arkeologjike. Ekspozita paraqet rrëfimin e kulturës ilire/dardane, gjetjet e së cilës janë të pakta ku pikërisht këtu qëndron efekti grishës i kësaj ekspozite”, ka thënë Canolli.

Për Canollin, katalogu është një kallëzues narratologjik, një libër që jep informacione më të mëdha sesa në ekspozitë dhe jo bazike duke kontekstualizuar ekspozitën në aspektin historik dhe arkeologjik.

“Lexuesi do të ketë mundësi të njihet me monumentet kryesore të periudhës dardane dhe interpretimin e tyre në kontekst të kohës së tyre. Ky katalog shërben edhe si lexues shkencor për ciceronët e Muzeut por edhe për vizitorët, studentët dhe të interesuarit e arkeologjisë së Kosovës. Po ashtu, katalogu është i përkthyer edhe në gjuhën angleze, frënge dhe serbe”, përfundon Canolli.

Po ashtu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti foli rreth pasurisë kulturore të Kosovës dhe rëndësisë për ruajtjen e mëtutjeshme të saj.

“Duke mbrojtur trashëgiminë kulturore, ne e mirëmbajmë kujtesën kolektive, forcojmë ndjenjën e përkatësisë, konsolidojmë rrjetet e solidaritetit dhe ndihmojmë zhvillimin në vend. Trashëgimia kulturore është ndër burimet më të fuqishme formative të identitetit duke fuqizuar lidhjen tonë me historinë, zhvillon ndjenjën e pronësisë e kujdesit ndaj vlerave dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që vijnë pas nesh”, thotë Kurti.

Sipas tij, ruajtja e pasurisë kulturore 1000 vjeçare si detyrim i përbashkët i shoqërisë bashkëkohore për brezat pasardhës, është përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës ku sipas përcaktimit ligjor, potenciali e trashëgimisë kulturore përfshin të gjitha dëshmitë materiale dhe jo-materiale dhe veçori të veçanta të veprimtarisë njerëzore.

“Sot po promovojmë një pjesë tejet të rëndësishme të kësaj pasurie kulturore të shtetit tonë. Trashëgimia jonë arkeologjike paraqet tërësinë e kulturës materiale, të krijuar nga njerëzimi në të kaluarën, e cila rrit të kuptuarit tonë për njohjen, strukturën, veprimtarinë dhe kulturën e shoqërive të lashta ku si e tillë ka vlera të çmueshme dhe është e papërsëritshme”, ka thënë Kurti.

Për Kurtin, trashëgimia e pasur arkeologjike dëshmon vlerën e civilizimit dhe kulturës të vendit tonë duke pasqyruar vlerat e kujtesës, lashtësisë, origjinalitetit, rrallësisë dhe veçantisë.

“Kjo ekspozitë paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe ekofakteve që datojnë nga epoka e neolitit e deri te mesjeta e vonë. Për fat të keq, ky thesar vazhdon të jetë i paplotë, sepse pjesa më e rëndësishme e koleksionit arkeologjik sot nuk gjendet në Kosovë por në Muzeun e Beogradit”, thotë Kurti.

“Këtë çështje po e bartim në forume ndërkombëtare si në ato profesionale ndërqeveritare por edhe në ato gjyqësore. andaj kërkesa jonë për drejtësi përmes dëmshpërblimit së shpejti do të marr formë konkrete”, thekson Kurti.

Pastaj, në një formë tejet të veçantë e që në fakt futi në konfuzion të pranishmit, ishte video-prezantimi i gjithsej 676 artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të cilat nuk janë më në Muzeun e Kosovës, përveç njërës. Ideja për të shfaqur këto artefakte në një mënyrë të veçantë ishte tejet e bukur, me ç’rast u dallua edhe origjinaliteti i tyre, përmes së cilave u përhap një ndjenjë e përkatësisë.

Teksa, prezantimi i artefakteve ende po vazhdonte, fjalën e morri edhe njëri nga autorët e katalogut, arkeologu Arben Hajdari.

“Përmes këtij katalogu ne synojmë që të ofrojmë një narracion i cili do të jetë një ndërmjetësues i rëndësishëm në mes vizitorëve dhe vlerave arkeologjike dhe historike të eksponentëve. Ne kemi krijuar një panoramë të përgjithshme të viteve nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga periudha parahistorike”, thotë Hajdari.

Ndërsa, krejt në fund në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u ftua për ta pranuar një dhuratë simbolike që përfshiu një artefakt nga kultura e Vinçes nga Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme