займ на карту онлайн потребительский кредит

Qendra e rilindur historike në Vlorë, transformimi i karabinasë së lashtë të “Sulos” në një qendër inovacioni

18 Shkurt, 2021 - 3:06 pm

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot qendrën e rilindur historike në Vlorë ku theksoi se, “kjo qendër po rijetëzohet nga bizneset që hapen njëra pas tjetrës dhe ku së shpejti do të hapë dyert edhe Muzeu Hebraik. Ndërkohë që po punojmë për projektin e transformimit të karabinasë së lashtë të “Sulos” në një qendër inovacioni digjital për të rinjtë, kulture, arti e hapësirash për të gjitha moshat”.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës , Elva Margariti dhe kryetari bashkisë Vlorë, Dritan Leli, kryeministri Rama u shpreh se “kjo vepër do të kthehet në objekt publik, e cila do të ketë disa komponentë dhe një komponent kryesor, qendra për gjithë proceset e IT për të rinjtë. Në mënyrë që të krijojmë rrjetin e inovacionit që e kemi nisur në Tiranë me Tumon, me Korçën që është avancuar edhe me bibliotekën e re, dhe Vlorën ku kemi një aset fantastik që mund të transformohet dhe t’i japin mundësi të rinjve të kenë akses në këtë aktivitet me procese ultra inovative trajnimi, me aktorë që kemi kontakt, dhe të hyjnë në kontakt me shërbimet globale online, si një mundësi e mirë për punësimin e tyre dhe të kenë paga që shkojnë nga 1 mijë euro në vitin e parë deri në 5-6 mijë euro në varësi të kapaciteteve të shërbimeve që kryejnë”

Kryeministri e cilësoi investimet në drejtim të inovacionit si të ardhmen e brezit të ri që ofron mundësi punësimi.

Duke u ndalur në hapësirën e madhe që ofron objekti “Sulo” Rama tha se, “nuk diskutohet hapësira për të moshuarit, për fëmijët, hapësira publike që ofrojnë mundësi të shumta edhe për qytetarët dhe në të njëjtën diskutuar për një çarje të objektit që është shumë i gjatë, për të krijuar një korridor, si galeritë që janë jashtë vendit, duke bërë një ndërlidhje me pazarin dhe sheshin jashtë, për te realizuar kështu një “zemër” të rëndësishme zhvillimi ekonomiko-social”.

“Kemi diskutuar edhe për mbylljen e trafikut në këtë zonë dhe investime për ristrukturimin e sheshit, ndërsa lidhja me shkallaret e varrezave të dëshmoreve dhe monumentin e Pavarësisë, do të sjell një konceptim të ri të pjesës hyrëse bashkë me rivlerësim e zonës arkeologjike dhe minibulevardin e krijuar”, tha Rama. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme