Rama: Ura e Shën Prodhromit e restauruar, vlerë e vërtetë e trashëgimisë kulturore

2 Qershor, 2020 - 6:24 pm

Kryeministri i ShqipërisëEdi Rama deklaroi sot se “trashëgimia kulturore ka njohur gjatë qeverisjes sonë të vetmen periudhë vëmendjeje, përkujdesje, rimëkëmbjeje, në 30 vitet e fundit”.

Kreu i qeverisë shqiptare publikoi sot një video nga Ura e Shën Prodhromit në Voskopojë, e cila është restauruar vitin e kaluar, ndërsa theksoi se “ky është një tjetër nga shumë shembujt kuptimplotë të angazhimit tonë për vlerat e vërteta të kësaj trashëgimie”.

“Trashëgimia kulturore ka njohur gjatë qeverisjes sonë të vetmen periudhë vëmendjeje, përkujdesje, rimëkëmbjeje, në 30 vitet e fundit dhe ky është vetëm një tjetër nga shumë shembujt kuptimplotë të angazhimit tonë për vlerat e vërteta të kësaj trashëgimie, ku nuk ka bërë kurrë pjesë, në asnjë dokument zyrtar të asnjë faze të pasluftës karakatina e shembur pak kohë më parë në kryeqytet”, – tha Rama.

Ura e Shën Prodhromit është një prej veprave inxhinierike ndërtuar gati 300 vjet më parë, e cila shërbente si nyje lidhëse e Voskopojës me manastirin e Shën Prodhromit. Kjo urë është monument i kategorisë I dhe përbëhet nga dy harqe prej guri të skalitur mirë dhe është ndërtuar në të njëjtën periudhë me fshatin me 24 kisha dhe Akademi. Pjesa e sipërme e urës është kalldrëm. Kjo urë me harqe vlerësohet e rrallë për sa i përket anës arkitektonike. Ajo është një prej urave më të vjetra në vend. /KultPlus.com

Të ngjajshme