Relikti i anijes u shtohet artefakteve të Kepit të Rodonit

30 Tetor, 2018 - 9:00 am

Mbetjet e një anijeje që i përket periudhës post-mesjetare kanë dalë në dritë ditëve të fundit në bregdetin e Kepit të Rodonit, në veri të Durrësit.

Relikti me gjatësi rreth 20 metra u zbulua shumë pranë vijës së ujit dhe i është nënshtruar pastrimit, fotografimit dhe matjeve të kujdesshme, raportojnë mediat shqiptare. Krejt kjo po bëhet me qëllim që të zbërthehet mënyra e ndërtimit të anijeve në kohë të ndryshme.

Arkeologu nënujor Adrian Anastasi, ka thënë se ky relikt tashmë është pagëzuar dhe po krijohet rrëfimi shkencor për të. Anastasi drejton projektin për përpilimin e hartës arkeologjike nënujore të Shqipërisë. Për Autoritetin Portual Durrës ai ka thënë se artefakti në të cilin po punohet është emërtuar “Rodon 4” dhe është zbuluar pas tre relikteve të tjerë.

Sipas tij, këtu shekuj më parë këto anije ishin aso që tranportonin mall nga vende të ndryshme.

“Më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat i emërtuam simbolikisht ‘Rodon 1’ dhe ‘Rodon 2’, besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera edhe me amfora, apo tulla, tjegulla e qeramikë fine, të prodhuara me baltë nga qyteti antik i Durrësit”, citohet të ketë thënë Anastasi. Por, sipas tij, së shpejti priten edhe zbulime të tjera ngase zona ku u gjetën reliktet e anijeve, nuk është fort e gërmuar.

“Ky është vetëm fillimi i surprizave në një nga zonat më të bukura dhe më pak të njohura të bregdetit shqiptar”, ka thënë Anastasi./KultPlus.com

Të ngjajshme