Restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës, Rama: Thesar i trashëgimisë sonë kulturore

27 Qershor, 2022 - 8:30 pm

Kalaja e Gjirokastrës do të ofrojë më tepër hapësirë për turistët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kala ku shprehet se po punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor.

“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga Kalaja magjepsëse e Gjirokastrës, ku punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor të këtij objekti me peshë të veçantë në thesarin e trashëgimisë sonë historike e kulturore, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Në kuadër të projektit të restaurimit në kështjellën e gurtë synohet rritja e sipërfaqes së vizitueshme si dhe konservimin dhe evidentimin e hapësirave të saj.

Një tjetër element  i rëndësishëm është edhe gërmimi arkeologjik që synon evidentimin e një historie më të detajuar të kalasë dhe qytetit.

Ndërhyrjet për përforcimin e strukturave të kalasë dhe riparimin e çarjeve që ishin krijuar do të sigurojnë një qëndrueshmëri të sigurt të kështjellës dhe do të shmangin rrëshqitjet e gurëve.

Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të vjetrat dhe të mëdhatë në Ballkan dhe shtrihet në një hapësirë prej 335 metra.

Zbulimet arkeologjike në zonën e kështjellës, tregojnë se ky vend është jetuar që nga shekulli i IV-V./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme