Rikthimi në identitet i Vunoit

15 Prill, 2018 - 4:30 pm

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.

Një projekt i qeverisë shqiptare për rrjetëzimin e fshatrave historikë ka përfshirë edhe Vunoin.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “në këtë fshat po vijojnë punimet për rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”.

Sipas tij, kjo është një punë e madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

“Ky investim i qeverisë shqiptare që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, së bashku me projektin për kthimin si fshat historik të Dhërmiut, si dhe shëtitoren e Dhërmiut dhe Jalit, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro.

Goro tha se ky projekt do të përfundojë në fund të vitit 2018.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterin përmbledhës të regjistrimit osman, në vitin 1431-1432, si pjesë e Himarës, ku figuron si një fshat i vogël me 22 shtëpi. Ndërsa dy shekuj më vonë në vitin 1693 ai shfaqet si një ndër fshatrat më të mëdhenj të zonës së Bregut të Detit. Banorët e këtij fshati kanë qenë shumë aktiv në rezistencën antiosmane të krahinës së Himarës.

Emri i Vunoit apo banorëve të tij shfaqet pothuajse në të gjitha letrat që zona u dërgonte kancelerive perëndimore për të lidhur aleancë kundër pushtuesve osman, duke nisur me letrën dërguar Papa Gregorit XIII në vitin 1577, e deri tek ajo drejtuar careshës ruse Elisabetës, në vitin 1759.

Duke qenë një nga qendrat më të zhvilluara të zonës së Bregut, me kontakte të vazhdueshme me botën perëndimore, banorët e këtij fshati ishin mjaft të emancipuar. Për këtë arsye ata ishin ndër të parët që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, morën pjesë në Luftën e Vlorës dhe ishin pjesë e lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore.

Shumë nga personalitetet e spikatur në fushën e artit dhe kulturës, si dramaturgu Spiro Çomorra, shkrimtari i letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, regjisori Dhimitër Anagnosti e aktori Robert Ndrenika e shumë të tjerë, janë me origjinë nga ky fshat./ KultPlus.com

Të ngjajshme