“Shkodra e fshehtë” iu fton ta zbuloni këtë verë

1 Gusht, 2020 - 1:17 pm

Përfundon turi 3-ditor me gazetarët nga Kosova dhe Shqipëria

Qyteti me më shumë burime ujore në Shqipëri është Shkodra. Ajo shtrihet në lindje të Liqenit më të madh në Ballkan (Liqeni i Shkodrës); përmes saj kalojnë tre lumenj: Drini – lumi më i madh në Shqipëri, Buna – i vetmi lumë i lundrueshëm në vend, si dhe Kiri – një prej tre lumenjve që zbret nga Alpet Qendrore të Shqipërisë, sikurse Shala dhe Cemi. Po ashtu, Shkodra ka dalje një vijë bregdetare prej më shumë se 7 km në Detin Adriatik. Ndërkaq, në zonën e Shkodrës janë Liqeni i Vau Dejësit, Liqeni i Komanit, e një numër i pafundmë përrenjsh malorë. Brenda një rrezeje prej vetëm 40 km, Shkodra si qytet dhe si zonë, është trualli ku shtrihen pasuri të rralla arkeologjike, disa prej të cilave unike në nivel kombëtar e më gjerë. I tillë është Vendbanimi Prehistorik Tarracor i Grunasit në Theth, i cili është i vetmi i këtij lloji në Alpet Shqiptare dhe që daton nga shekulli VIII para Krishtit.

Pikërisht për të eksploruar këto atraksione të rajonit të Shkodrës, Organizata GO2 ftoi një grup gazetarësh, reporterësh, fotografësh dhe kameramanësh të medias kombëtare nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe përfaqësues të agjencive dhe guidave turistike. Ata udhëtuan së bashku për tre ditë për të promovuar një paketë prej tre turesh, të titulluar “Shkodra e fshehtë”. Turi përmbante një ndërthurje të atraksioneve kulturore-arkeologjike, pasurive të jashtëzakonshme ujore, por edhe disa prej fermave më të veçanta të agroturizmit që gjenden në rajonin e Shkodrës. Sipas hartuesve të turit, përfshirja e bizneseve është bërë me qëllimin e mirë për të prezantuar para turistëve jo vetëm vlerat natyrore dhe kulturore, por edhe kapitalin njerëzor.

Udhëtimi i tyre nisi nga Vendbanimi Antik i Bushatit, i zbuluar në 2018 nga një ekspeditë shqiptaro-polake. Qyteti i shekujve V para Krishtit deri VI pas Krishtit, ka fortifikime deri në 3.5 m trashësi. Ai ngrihet mbi një disa kodra të ulëta mbi rrugën nacionale Shkodër-Tiranë, dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 17 hekatërësh.

Pas ndalesës te Vila Bekteshi, një prej shtëpive të rëndësishme gjatë rrethimit të Shkodrës të vitit 1912-1913, por që e ka ruajtuar identitetin e vet urban duke u transformuar në restorant, grupi i gazetarëve u drejtua për në Syrin e Sheganit, një monument natyror në veri të Liqenit të Shkodrës, rreth 30 km larg nga qyteti. Ky burim i madh në formë vertikale del nga të çarat tektonike-karstike me thellësi mbi 25 m dhe prurje deri 1500 l/s. Prej këtij atraksioni natyror, Liqeni i Shkodrës ka pamje të plotë, të paimagjinueshme nga Shiroka dhe Zogajt, prej ku më së shumti shijohen bukuritë e këtij liqeni.

Një ndër ndalesat më befasuese të këtij turi ishte Ferma e Bimëve Aromatike Mjekësore Salvia Nord, në Koplik të Malësisë së Madhe. Frut i një pune më se 20-vjeçare, kjo fermë përfaqëson mundin dhe arritjen e një familjeje të tërë për kultivimin e bimëve aromatike mjekësore, për të cilat njihet Fusha e Mbishkodrës. Pasi kanë arritur të përzgjedhin varietetin më cilësor të sherebelës së egër që rritet në malet përreth Shkodrës (Taraboshi, Velipoja etj), fermerët prodhojnë prej vitesh farërat, fidanët dhe gjethet e kësaj bime, si dhe të lavandës dhe makthit. Mirëpo ndërkohë që prodhimi i të gjithë fermerëve të zonës shkonte për eksport, një grua nga fshati Shtoj i Ri, në mes të rrugës nacionale mes Koplikut dhe Shkodrës, punoi për krijimin e sapunëve dhe kremërave me esencat e këtyre bimëve. Në këtë mënyrë, 5 vjet më parë lindi “Natyra Ime”, një punishte e vogël për prodhimin e produkteve kozmetike në mënyrë krejtësisht artizanale dhe ekologjikisht të qëndrueshme, pra të padëmshme për mjedisin. Ekspozimi i vajërave esenciale, i farërave, luleve, si dhe i produkteve kozmetike të prodhuara me këtë lëndë të parë me 0 km, i përpiu gazetarët dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit në biseda kureshtare: ishte krejt fshat.

Në turin e hartuar dhe organizuar nga GO2 u përfshinë edhe disa sipërmarrje sociale, si restoranti Arti i Zanave, i cili kontribuon në përfshirjen dhe mirëqenien e grupeve vulnerabël të shoqërisë, sidomos të grave që vijnë nga zonat rurale të Shkodrës. Por nëse Zanat e këtij restoranti miqësor janë fjalëpakta, instrumentistët e bandës muzikore e Fermës Ekosociale Ana e Malit janë krejt ndryshe. Ata e pritën grupin e gazetarëve me tam-tamet e trumpetave, trompave, tromboneve, baterisë dhe daulleve, në një atmosferë elektrizuese. Shkodra njihet si qyteti i bandave frymore që në fund të shekullit XIX, por kjo bandë është ndër më të veçantat që ky qytet ka pasur ndonjëherë: ajo përbëhet nga persona me aftësi ndryshe, vajza dhe djem të rinj, që vijnë kryesisht nga rrethinat. Prej vitesh, ata janë pjesë e kësaj ferme, qëllimi i së cilës nuk është përfitimi material, por gjithëpërfshirja dhe kohezioni social. Prej spektaklit emocionues që dhanë – ishte e qartë se ia kanë dalë mbanë më së miri.

Mëngjesi i ditës së dytë të turit, i gjeti gazetarët në fshatin e vogël Koman, aktualisht me jo më shumë se 300 banorë, por që në periudhën kur ndërtohej një nga hidrocentralet më të mëdha në Shqipëri, në mesin e viteve 1980, ishte një qytezë e vërtetë me rreth 4 mijë banorë. Komani është një stacion i rëndësishëm në rrugëtimin e mijëra turistëve për në Lumin Shalë, një prej atraksioneve tashmë të shpërdoruara nga frekuentimi i lartë dhe i pakontrolluar, por edhe porta ujore për hyrjen në Alpet Shqiptare. Megjithatë, Komani është përfshirë në turin “Shkodra e Fshehtë” për sitin e mrekullueshëm arkeologjik të kulturës arbërore, të njohur me emrin Vendbanimi i Mesjetës së hershem i Komanit, i cili ngrihet rreth 600 m mbi nivelin e detit, në kodrat djathtas digës së hidrocentralit. Siti është zbuluar së pari në fund të shekullit XIX nga albanologu Johan Georg Fon Hahn, konsulli francez në Shkodër Alexander Degrand etj., të cilët udhëtuan përgjatë luginës së lumit Drin, por gërmimet e para arkelogjike u kryen në vitet 1960-1970 nga arkeologët shqiptarë Skënder Anamali e Hëna Spahiu. Prej 10 vitesh në këtë sit kryen punime një mision arkeologjik shqiptaro-francez. Në bazë të gjetjeve të shumta të kryera gjatë gërmimeve në systemin tarracor gjysëmnatyror të këtij vendbanimi, mësohet se ai është themeluar ndërmjet shekujve V-VI dhe u braktis rreth shekullit XIV. Ndonëse dominon kultura arbërore, ajo paraqet shtresëzime nga flukset slave, sueve, avare etj., që nga Mesjeta e Hershme. Në këtë sit, grupi vizitoi Kishën Episkopale, Nekropolin, si dhe lagjen Shëngjergj, ndërsa vendbnanimi shtrihet në një zonë mjaft të gjerë kodrinore – malore.

Për të shmangur kthimin nga rruga e Komanit, e cila të kujton Shqipërinë e përpara viteve 1990, në kthim u zgjodh itinerari ujor, përmes Liqenit të Vau Dejësit. Pavarësisht bukurive të rralla natyrore, maleve të thepisura që bien përmbi liqen, Shpellës fantastike të Pëllumbave (monument natyror), hyrja në të cilën bëhet vetëm me varkë, udhëtimi prej 20 kilometrash deri në fshatin Rragam evidentoi përpara grupit mangësitë e mëdha të transportit ujor në Shqipëri. Në të tre liqenet e kaskadës së Drinit: Fierza, Komani dhe Vau Dejësi vazhdojnë të ofrojnë shërbim të transportit të udhëtarëve me mjete jashtë çdo parametri teknik, në disa raste të bëra në mënyrë amatore, e që nuk ofrojnë siguri për jetën. Prandaj është koha që autoritetet shtetërore të inventarizojnë, monitorojnë dhe kontrollojnë me rrepstësi mjetet e transportit ujor, për t’u imponuar ofruesve të këtyre shërbimeve zbatimin e standardeve të sigurisë për jetën e pasagjerëve.

Synimi i organizatorëve ishte që edhe gazetarët, operatorët dhe guidat turistike të përjetojnë plotësisht përvojat që do të kenë turistët që do t’i vizitojnë këto atraksione. Për këtë arsye në ditën e fundit të turit u la udhëtimi me kanoe, nga rrjedha e rrëmbyeshme e Drinit ujërat e qeta të Bunës, deri në Kishën e Shirqit, në breg të këtij lumi. Dhe ashtu si ishte parashikuar, ky itinerar prej 12 kilometrash shënoi kulmin e turit “Shkodra e fshehtë”, jo vetëm për pamjet e rralla dhe krejt të panjohura të natyrës së lumit Buna, por edhe për disa situata tragji-komike që e shoqëruan lundrimin.

Turi u mbyll me shijimin e ëmbëlsirave të përgatitura nga një prej master-shefave më të njohur në Shqipëri: Alfred Marku. I angazhuar nga #GO2Innovation për masterclass-in e kuzhinës gourmet me sipërmarrje të turizmit e agrobiznesit të Shkodrës dhe studentë, Marku kishte përgatitur ëmbëlësira dhe pije të veçanta me bimët aromatike mjekësore të kultivuara nga fermerët e Mbishkodrës.

Në këtë mënyrë u mbyll udhëtimi treditor “Shkodra e fshehtë”, një tur tepër dinamik për promovimin e 3 guidave 5-ditore (gjithsej 15 ditë) që përfshijnë të gjithë rajonin, nga Fusha e Zadrimës deri në Alpet Shqiptare dhe nga malësitë e Pukës deri në Detin Adriatik: “Shkodra e arkeologjisë”, “Shkodra e ujërave” dhe “Shkodra e Agroturizmit”.  “Shkodra e fshehtë” synon t’i tërheqë vizitorët në një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes pasurive ujore dhe natyrore, duke njohur kultura dhe tradita të larmishme të komuniteteve që jetojnë pranë këtyre brigjeve që nga fushat e Zadrimës, në lartësitë e Alpeve dhe deri në kuotën zero metër mbi nivelin e detit. Ajo do t’i zhvendosë vizitorët nga shtëpia në kantinë e nga punishtja e artizanatit në parcelat e bimëve mjekësore aromatike. Të frymëzuara më herët sipas modelit të haneve dhe të motivuar nga suksesi i “Mrizit të Zanave”, janë të shumta familjet në të gjithë territorin e Shkodrës, të cilat i kanë hyrë rrugës së turizmit duke përshtatur banesat e tyre për bujtina dhe duke pritur e përcjellë në to vizitorë nga vendi dhe bota. Edhe pse në fillim, malësorët e kishin të vështirë të konceptonin se si mund të shitej me parà mikpritja e tyre legjendare.

Në thuajse të gjitha këto struktura të akomodimit dhe gastronomisë punojnë familje dhe komunitete në zona të braktisura, të margjinalizuara, por vizita juaj do t’u japë atyre më shumë besim te puna – dashuria për të cilën nuk u ka munguar asnjëherë./KultPlus.com

Të ngjajshme