“Shota” mblodhi të gjitha trevat shqiptare në dasmën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

27 Shtator, 2018 - 1:51 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premiera e shfaqjes “KUMT” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, shkruan KultPlus. Koreografi Gjergj Prevazi ka kohë që ka marrë ftesë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” për të realizuar një koreografi për trupën e saj. Së fundi ai i është përgjigjur kësaj ftese dhe së bashku me anëtarët e trupës së “Shotës” kanë punuar në koreodramën të cilën e kanë titulluar “KUMT”. Një koreodramë e cila është realizuar për të shënuar edhe 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Shfaqja është ndarë në dy pjesë. E para është thirrja apo lindja e një rezistence dhe bashkimi shqiptar rreth Skënderbeut, ndërsa e dyta dasma e Skënderbeut. Shfaqje zhvillohet rreth heroit kombëtar Skënderbeut, një temë kjo sipas koreografit Prevazi shumë e trajtuar por njëkohësisht një e vështirë që ti qasësh pasi që ka të bëjë me figurën e heroit tonë kombëtar.

Pikërisht këtu ka lindur edhe sfida e koreografit dhe regjisorit të shfaqjes i cili ishte në kërkim të një formati më ndryshe por që nuk do largohej nga tradita shqiptare. “Gjithmonë kam qenë i mendimit që formacionet e tilla artistike si puna e ‘Shotës’, dhe ansambleve simotra të ‘Shotës’ kudo qofshin duhet që të përballen edhe me realitetet e ditëve të sotshme dhe jo vetëm të marrin përsipër trashëgiminë tonë kulturore jo materiale në këtë rast, pra këngët dhe vallet popullore. Një qasje më bashkëkohore karshi traditës, vlerave më të mira të folklorit tonë, ka qenë një sfidë e madhe por unë gjithmonë e kam këndvështruar sipas qasjes sime personale krijuese”, u shpreh ai për KultPlus.

Koreografi i cili në punën e tij dallohet për element bashkëkohore ka dashur që këto elemente ti sjellë edhe të “Shota”. Një ndërthurje në mes të fokusit që ka ky ansamble, kultivimit të folklorit dhe ruajtjes së vlerave tradicionale, dhe konceptit bashkëkohorë.

“Në këtë kuptim jam përpjekur që ti ofrojë publikut të Prishtinës një format të ri, siç e patë edhe ju i cili sot njihet si folku-bashkëkohorë, dhe është një format relativisht i ri edhe në skenën evropiane. Ai shfrytëzon elemente të folklorit por në konceptet e sotme dhe në këndvështrimet e shoqërisë së sotme”, theksoi ai.
Për valltarin Besnik Grajçevci, i cili solli Skënderbeun, pikërisht ky koncept “folk-bashkëkohor” ka dëshmuar se ansambli ka mundësi për të ofruar më shumë nga vetja e tij.

“Më këtë shfaqje Ansambli “Shota” dhe Trupa e Ansamblit “Shota” ka treguar që ka një brumë brenda vetës dhe pranon dhe mund të jap përtej kornizave të veta të rëndomta të cilat i kemi pasur ndër vite. Më këtë shfaqje ansambli Shota ka arritur që ti thyejë të gjitha barrierat e folkut dhe përgjegjësinë që e kemi si ansambël për ruajtjen e traditave dhe kultivimin e tyre. Sot e them me përgjegjësi se kemi hyrë edhe në përgjegjësi të teatrit, vallëzimit dhe të të gjitha sferave të kulturës dhe mendoj se ia kemi dhanë hakun ashtu siç duhet”, tregoi ai për KultPlus.

‘KUMT’ është koreodramë e punuar nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt, me muzikë të realizuar nga Valton Beqiri dhe kostumografe Vesa Kraja.
Muzika e cila zë një vend të rëndësishëm sidomos në pjesën e dytë ka qenë një sfidë të cilën nuk e ka marrë vetëm “Shota” por të gjithë që kanë punuar së bashku për të sjellë këtë shfaqje, u shpreh kompozitori Valton Beqiri.

“Në pjesën e parë muzika ka qenë e kompozuar enkas për këtë shfaqje. Në këtë rast roli i kompozitorit është që të jetë sa më afër kërkesave të koreografit dhe shfaqjes në përgjithësi. Muzika është ilustrative, mirëpo edhe si e vetme kjo muzikë mund të qëndrojë dhe kjo është një e mirë e kësaj pikë muzikore. Pjesa e dytë ishte live me orkestër, një dasmë e imagjinuar e Skënderbeut, të cilin ne fatkeqësisht nuk e kemi. Një Skënderbe i cili do ti afronte të gjitha trojet shqiptar, prandaj patëm edhe këngë dhe vallet nga të gjitha trojet. Një dasmë ashtu si e paramendojmë se një Skënderbe sot do të bënte , ku do të ftoheshin të gjithë shqiptarët nga cilido vend ku ata jetojnë”, tregoi ai për KultPlus.

Kujtojmë që ‘SHOTA’, më herët në këtë vit pati edhe një premierë tjetër, më saktësisht koreodramën ‘Lulet e Marsit’ , të autorit Xhemali Berisha, e cila u realizua për nder të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme