Shqiptarët patën shndërruar shtëpitë – shkolla, serbët i vranë tre qytetarë, sepse i mbrojtën nxënësit shqiptarë (VIDEO)

26 Shkurt, 2018 - 10:12 pm

31 Janari i vitit 1992 shënon një nga ditët më të zymta të fshatit Uçë të komunës së Istogut. Në orët e hershme të mengjesit, banorët e fshatit dëgjuan krismat që vinin nga rruga gjarpërore e Uçës, ku mu aty mbetën të vrarë tre burra të këtij fshati, shkruan KultPlus.

Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj e Hasan Hysenaj do të mbeten tri figura heroike të fshatit e të Kosovës. Duke qenë se Kosova ndodhej në kohën e okupimi serb, e nxenësit nuk lejoheshin të mbanin mësim në objekte shkollore, atëherë organizimi i mësimit në shtëpi private apo shtëpi- shkolla u bë një formë e re e mobilizimit që nxënësit të vazhdojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Edhe në fshatin Uçë si në shumë shtëpi shqiptare, banorët kishin hapur dyert për të pritur nxenësit e mësimdhënesit e kësaj ane. Një grup i fëmijeve derisa po shkonin në njerën nga këto shtëpi, ishin ndalur nga policia serbe që po vinte nga drejtimi i kundërt prej nga këta nxenës ishin nisur. Fëmijët ishin ndalur e ishin pytur për adresën se ku ishin nisur, derisa mundoheshint’i fshihnin librat në trupin e tyre. Krejt kjo situatë ishte zhvilluar shumë pranë dyerve të shtëpive të familjes Hysenaj dhe Hoxhaj, të cilat shumë shpejt ishin njoftuar për ndeshjen e fëmijëve me forcat policore serbe.
I shpejtë kishte qenë reagimi i tre kryefamiljarëve të këtyre familjeve qe duarzbrazur ishin ngjitur me vrull për t’i mbrojtur nxënësit e këtij fshati, të cilët pak momente më tutje do të bëheshin dëshmitarë të vrasjes së këtyre tre burrave.

Muharrem Hysenaj e Bajram Hoxhaj nuk iu mbijetuan plumbave të armikut, derisa Muharrem Hysenaj pat vdekur në spitalin e Pejës,Bajram Hoxhaj jep frymën e fundit në fshatin e tij. Të plagosur do te mbeteshin dy vëllezërit Asllan e Hasan Hysenaj dhe djali Imer Hysenaj. Hasan Hysenaj do të vuaj torturat e plagëve edhe shtatëmbëdhjetë ditë te tjera derisa më pas, trupi i tij do të shtrihet pranë dy trupave të dëshmorëve të tjerë Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhajt.

Shumë shpejt fshatarët nga lagjet e ndryshme do të vijnë në vendin e ngjarjes, aty ku do të gjejnë trupat e vdekur të dy prej bashkëfshatarve të tyre. Vrasësit e tyre ishin larguar me shpejtësi, për t’u kthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme lajmi do të depertonte në terë Kosovën, për ta bërë kështu fshatin Uçë, një adresë për t’u bashkuar në një hap më tej për t’u përballur me armikun. Sot emri i këtyre tre dëshmorëve është përjetësuar në emrin e shkollës së këtij fshati. E në vendin ku pat ndodhur krimi, 26 vite më parë, sot ndodhet lapidari në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve e sakrificën e tre burrave të këtij fshati. Fëmijët e kësaj shkolle, çdo vit shënojnë ditën e shkollës në këtë datë, derisa thurin vargje këngesh e poezish për këta tre burra. Zyrtarët komunal, së bashku me mesimdhënësit, familjarët e fëmijët e kësaj shkolle, në çdo 31 janar dorëzojnë kurora lulesh, në nderim të veprës së tyre./KultPlus.com

Të ngjajshme