Shtëpitë muze në Gjirokastër drejt zhdukjes, banorët kërkojnë rehabilitimin

24 Prill, 2018 - 9:14 am

Drejt zhdukjes totale më shumë se gjysma e shtëpive muzeale në qytetin e Gjirokastrës. Qyteti i gurtë bën 13 vite në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO, por vëmendja për të është vetëm në ditë përkujtimore. Janë 57 banesa të kategorisë së parë, ndërkohë që 28 prej tyre tashmë janë të pabanueshme.

Dhjetëra banesa muzeale në Gjirokastër janë shembur, por edhe një pjesë e mirë e tyre pritet që të shkojnë drejtë rrënimit. Një vëzhgim i bërë nga specialistë të huaj dhe vendas janë konstatuar se qyteti i gurtë numëron rreth 600 objekte muzeale, por një pjesë e konsiderueshme është zhdukur nga harta e monumenteve.

Në Gjirokastër janë 57 banesa, të cilat janë cilësuar si të kategorisë së parë, por më shumë se gjysma prej tyre tashmë janë të rrënuara dhe të pabanueshme. Përfaqësues të këtyre shtëpive thonë se kanë kërkuar rehabilitimin e shtëpive të tyre në mënyrë që ato të bëhen të banueshme, por nuk kanë marrë një përgjigje, për pasojë shtëpitë janë shembur.

Dy vite më parë qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Kulturës, kishte një projekt për rehabilitimin e 22 banesave dhe “pagëzimit” të tyre me emrat e shkrimtarëve si banesat e Kabilatëve, Lolomanit, Farie-Duro e Musine Kokalari, monument kulture këto të kategorisë së parë.

Investimi i qeverisë shqiptare në pesë vitet e fundit kanë qenë gati në masën e mbi 2 milionë dollarëve, por këto para kanë shkuar vetëm në rehabilitimin e Pazarit Karakteristik. Ndërkohë që këtë vit Gjirokastra bën 13 vite në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Report Tv do të jetë edhe në ditën në vazhdim për të sjellë edhe shtëpi të tjera, të cilat janë shembur dhe nuk kanë marrë vëmendjen e shtetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme