“Sofra Gurbetqare” përçon vlera të mirëfillta kulturore shqiptare

1 Gusht, 2018 - 9:30 am

Nën përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur “Sofra Gurbetqare” në Shatërvan të Prizrenit, ku Ansambli “Emin Duraku” nga Zhuri dhe grupe e solistë tjerë mysafirë kanë performuar me këngë e valle për bashkatdhetarët që cilët po kryejnë pushimet e tyre verore në vendlindje.

“Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë.

Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të Mërgatës, u shpërndanë edhe mirënjohje për individë dhe organizatë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet e Mërgatës ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë.

Me këtë rast, ministri Gashi, i cili mori pjesë në këtë organizim, u shpreh se me kënaqësi MKRS-ja dhe pa hezitim e ka përkrahur këtë ngjarje. “Aktivitete të kësaj natyre që përpos shprehjes së falënderimit për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Ministria po mbështetë edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore. Ne po punojmë vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”, u shpreh ndër të tjera ministri./ KultPlus.com

Të ngjajshme