Sot 533 vjet nga Hora e Arbëreshëve

30 Gusht, 2021 - 4:27 pm

Sot kremtohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi”, ndryshe në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”. Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.

Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet kanë nisur paraditen e sotme me liturgjinë hyjnore, një pjesë e së cilës është mbajtur në gjuhën shqipe.

Të pranishëm në kremtimet e 533 vjetorit të Horës së Arbëreshëve janë edhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, institucioni i cili ka përgatitur një kalendar aktivitetesh me rastin e këtij përvjetori , si koncertin artistik “Tingujt e jetës midis tokës dhe detit”, me pjesëmarrjen e artistit shqiptar z. Aulon Naçi, kompozitor dhe pianist, ekspozitë e botimeve të QSPA etj, transmeton KultPlus.

Historiku

Arbëreshët e parë të Horës së Arbëreshëve, që në fund të shek. XV lanë Shqipërinë e pushtuar nga Perandoria osmane që donte të impononte jo vetëm kulturën e saj por dhe fenë muslimane.

Kështu, arbëreshët e krishterë nga përkufizimi, për hir të rrënjëve të tyre lanë vendet ku ishin rritur dhe ku kishin jetuar prej shekujsh në kërkim të një territori ku të mund të vazhdonin të ishin ata që ishin.

Më pas kaluan detin dhe arritën në brigjet e Pulias. Ata vazhduan udhëtimin e tyre për në Siçili, në një vend të largët ku të mos arriheshin nga turqit. Sipas një legjende mërgimtarët sollën me vete një pikturë të Madonna Odigitria.

Pas ecjes rraskapitëse prej javësh, ata ndaluan në jug të Palermos në rrëzë të një mali për tu freskuar. Ata panë me habi që piktura e Zojës kishte lënë një brazdë të thellë në gurin ku ishte vendosur. Për arbëreshët kjo ishte një shenjë nga qielli. Vendi ishte zgjedhur nga Mbrojtësi Hyjnor.

Aty mund të themelonin vendin e tyre. Por në fakt, ata shkuan në Monreale për të negociuar me Kryepeshkopin, pronarin e atyre territoreve dhe më 30 gusht 1488 ata nënshkruan Kapitullin e Themelimit. Kapitujt e e Themelimit të Horës së Arbëreshëve ishin 16. Shqiptarëve iu dha privilegji të jetonin sipas ligjeve dhe zakoneve në fuqi në qytetin Monreale.

Atyre iu dha një sasi toke për të punuar dhe një tjetër sasi e konsiderueshme për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Arbëreshët ishin të lirë të lëviznin dhe të linin territorin e dhënë atyre pa asnjë ndëshkim dhe të merrnin armë me vete.

Ata gjithashtu mund të bënin gjueti dhe të ruanin kultin e tyre, i cili bazohej në ritin bizantin. Menjëherë më pas arbëreshët ndërtuan një kishe, pikërisht atë kushtuar Madonna Odigitria, në të njëjtin shteg ku kishte ndodhur mrekullia e pikturës.

Edhe sot shenjtorja është një destinacion pelegrinazhi, sidomos 15 ditët e para të gushtit, kur besimtarët shkojnë atje para lindjes së diellit për të admiruar lindjen e diellit gjatë lutjes. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme