Specialistët e monumenteve me ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturave murale në Kostar dhe Delvinë

21 Gusht, 2020 - 3:58 pm

Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës vijon të jetë në qendër të vëmendjes së specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kultore Vlorë , Sektori Sarandë, u zhvillua një ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturës murale në Kishën e Manastirit të Shën Mërisë në Kostar dhe në Kishën e Manastirit të Shën Triadhës në Kardhikaq, Delvinë”.

“Qëllimi i kësaj ekspedite është verifikimi dhe hartimi i projekteve të ndërhyrjes konservuese e restauruese në pikturën murale të këtyre dy objekteve “monument kulture”, si dy objekte me mjaft vlera dhe interes në këtë zonë”, – tha Margariti.

Kisha Shën Meria e Kostarit ngrihet në anën lindore të qytetit antik të Finiqit dhe ndodhet brenda një shpelle të natyrshme në malin Kostari. Pjesa veriperëndimore u ndërtua për herë të parë në 1332 dhe, më vonë, në vitet 1690-1770 u unifikua me pjesën tjetër.

Duke u gdhendur në shkëmb, manastiri mbart një vlerë të madhe dhe të rrallë historike; Kjo ndodh sepse ndër të tjera, gjatë okupimit osman, funksiononte si një shkollë sekrete, mësuesi i saj i fundit ishte Pilo Papa.

Kisha e Shën Triadhës nga tiparet tipologjike duhet ti përkas fundit të shek. XVI- fillimi i shek. XVII, ndërsa mbishkrimi që gjendet mbi portën hyrës tregon se ajo është pikturuar në vitin 1827. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme