Takim emocionues, e bija e Dritëro Agollit takon njeriun që e pagëzoi

24 Qershor, 2019 - 7:37 pm

Elona Agolli është e bija e shkrimtarit të madh të letërsisë shqiptare, Dritëro Agollit. Edhe pse ne mund të dim shumë të vërteta rreth figurave të mëdha përseri çdo herë zbulohet diçka e re, shkruan KultPlus.

Sot, Ismail Kadare një figurë tjetër më më rëndësi në letrat shqipe paska takuar të bijën e kolegut, por edhe të mikut të tij, Elonen. E në ketë takim u zbulua një detaj i rëndësishëm ku Kadare e paska pagëzuar të bijën e poetit me emrin ‘Elonë’, duke e përshkruar takimin e sotëm si një ripërseritje e kujtimeve të vjetra dhe si nostalgji për mikun e tij të nderuar.

‘M’u duk krejt si takimi asaj dite vjeshte me shi, shumë vjet më parë, kur po prisnim të vinte Dritëroi me Sadijen. Malli për mikun e dikurshëm ndihej gjithë kohën dhe këtë ia shkroi Elonës tek faqja e parë e veprës së tij të plotë: “Elonës, në shenjë përmallimi për të dhe kujtimin e bukur të Dritëro Agollit.” Apo duhej ta shkruaja zonjës Elona, u kujtua në fund Kadare. Shumë bukur, ju ma keni vënë emrin Elona, i tha bija e mikut të tij të vjetër dhe e përqafoi fort’.

Ndërsa edhe rrëfimi i Elona Agollit rreth takimit me mikun e babait dhe pagëzuesin e emrit të saj, është përtej emocionit të parashikuar dhe përballje me përmallimin për kohët e lumtura.

‘Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër , Ismail Kadare , do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione . 
“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë .”- përsëriste botuesi dhe miku ynë Bujar Hudhri . 
U ula pranë , duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qëndrimin plot siguri , siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim, pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut, ( miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension); 
“ Ky do të ishte lajm -,theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij . Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…Atë çfarë unë ndaja me të , nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar.”
Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje, pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë , ngjyrë gjaku , më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate . 
U fol për shumëçka rreth asaj tavoline ; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist , për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit , vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “ a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij “, për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memoireve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes ; hera – herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia (sa e ngjashme me atë të babait tim! ).
Qëndruam gjatë dhe u fol gjatë , por “e padukshmja “, ajo çfarë shpirti përcillte, shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve. 
Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysëm rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re , ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “ ëngjëllushja” flutur. Isha unë aty , ajo , bija , që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave’.

Bar Juvenilja, Tiranë, 24 qershor 2019/KultPlus.com

Të ngjajshme