Teqeja e Shehlerëve dhe kaderinjtë e devotshëm të Prishtinës

11 Janar, 2018 - 7:10 pm

Është e njohur sipas Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, pronar. Teqeja ndodhet ngjit me Kullën e Sahatit e gjimnazin “Sami Frashëri”, objekt thuaja i shtrirë përtokë. Sheh Mehmeti është njeriu që ka bërë propagandë në baza fetare për të mos u shpërngulur popullata për në Turqi. Shumica e myhymëve (ithtarëve) të tij nuk janë shpërngulur. Njihet si njeri me shumë autoritet në qytet, i lindur e i rritur këtu.

Teqetë, zaten, përfaqësonin institutet specifike të fesë islame, ku kryheshin ritet e tyre. Teqeja e Sheh Mehmetit thuhet se është ndërtuar diku rreth viteve 1925-1929, ndërsa për Tyrben nuk dihet data e saktë. Tashti, Mehmet Shehu, nipi i Sheh Mehmetit, tregon se gjyshi i tij kishte mbledhur eshtrat nga disa tyrbe të cilat i kishin shkatërruar bullgarët e serbët, dhe i kishte vendosur në këtë Tyrbe.

-Tarikati i gjyshit, Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, kanë qenë kaderinjtë – shpjegon tutje nipi. Kaderinjtë, i falin pesë vaktet e namazit, e agjërojnë ramazanin, shkojnë në haxhillëk, alkoolin nuk e përdorin, veprojnë sipas Kuranit… Sheh Mehmeti ka vdekur në vitin 1947.

Në brendi të Teqesë, aty ku falet namazi, ndodhet biblioteka e Sheh Mehmetit, me libra të vjetër deri 700 vjeçarë, të shkruar në gjuhën arabe, turke (osmane), perse dhe frënge, si dhe dorëshkrime që ende nuk janë zbuluar, edhe pse nuk janë të ndaluara për askënd – thuhet në këtë shtëpi kulti. Vijnë njerëz të interesuar nga Turqia e nga tërë Evropa.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime.

Të ngjajshme