“Tyrbja e Çikave” nga Arbërore Sylaj

22 Janar, 2020 - 7:26 pm

Filmi i Arbërore Sylaj “Tyrbja e Çikave” tregon një histori për të mbinatyrshmen, ritualet dhe bestytnitë në frymën dhe ritmin e pulsit të një ëndrre.

“Tyrbja e Çikave” është një lokalitet në Gjakovë, i ndërtuar 400 vjet më parë, i vetmi rast në Kosovë, ku një tyrbe nuk bën shenjtërimin e burrave, por varret e gjashtë vajzave.

“Tyrbja e Çikave” është përmendore historike që dëshmon periudha të rënda nëpër të cilat kanë kaluar femrat shqiptare, nën lakminë e shfrenuar të armiqve të ndryshëm.

Tyrbja e Çikave e vitit 1689

Më 1689, pas vdekjës së gjeneralit austriak Pikolominit, ardhjën e të cilit e priti me  entuziazëm popullsia vendëse, komandën e mori Duka i Hollshtajnit, i cili, me sjelljet e tij të shfrenuara, shkaktoi pakënaqësi aq të madhe në popull saqë banorët e Gjakovës e lëshuan qytetin dhe u strehuan në fshatrat malore. Midis të shpërngulurve ishte vëllau i Mehmet efendiut me familjën e tij, i cili e luti të vëllanë ta lëshonin së bashku shtëpinë. Por ai refuzoi.

Të gjashtë vajzat e Mehmet efendiut u vranë nga ushtarët dhe oficerët austriakë, duke mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë me ujë të valë, kur po lanin petka,  në momentin kur u sulmuan në oborrin e shtëpisë së tyre. 
Heroizmi i motrave la gjurmë të thella në vetëdijën e gjakovarëve, të cilët i shpallën të shenjta dhe varrezat e tyre i shpallën tyrbe, me të cilën lidhën shumë mrekulli.
Edhe një dëshmi materiale që provon autoktoninë e shqiptarëve, të cilët jetonin në tokat stërgjyshore para Spërnguljës së Madhe Serbe më 1690.

Masar Rizvanolli, një historian i njohur në Gjakovë dhe ndër të paktit që ka shkruar për këtë histori, thotë se këto varre kanë një rëndësi të veçantë kulturore, fetare, por edhe historike.

“Heroizimin e çikave të Gjakovës që i përjetësoi popullata e kësaj treve duke iu shndërruar varret e tyre në tyrbe, përmban në vete mesazhe largpamëse për brezin e ardhshëm. Ato kanë shërbyer si burim frymëzimi i rinisë në luftën e tyre çlirimtare kundër pushtuesve të saj sa herë që vendi ishte në rrezik. Çikat dhe gratë e Gjakovës treguan shumëherë heroizmin e tyre sa herë që vendi ishte në rrezik në periudhë të ndryshme të kohës”, ka thënë Rizvanolli. / KultPlus.com

Të ngjajshme