U mbajt manifestimi kulturor “Ditët e Augustin Ukaj”

31 Tetor, 2017 - 4:23 pm

Artdashës të folklorit dhe melosit shqip u mblodhën në fshatin Doblibare për të shënuar manifestimin kulturor “Ditët e Augustin Ukaj”, i cili u mbajt në nderë të personalitetit dhe veprës së rapsodit i cili për një jetë të tërë i këndoi artdashësve të tij shqiptar, përcjellë KultPlus.

Augustin Ukaj është vlerësuar si rapsod i shkëlqyer në Kosovë, Shqipëri, Trojet Shqiptare, e Mërgatë. Sipas këshillit organizativ qëllimi i këtij manifestimi ishte promovimi i vlerave dhe kulturës shqiptare.

Në këtë manifestim kulturor të pranishëm ishin edhe personalitete të larta nga jeta akademike, kulturore, artistike dhe politike e vendit. Përveç këngës folklorike dhe valles popullore, në këtë manifestim u interpretuan edhe poezi shqiptare nga aktori Çun Lajqi, pastaj pati edhe pika humori nga artistët Sevdai Radogoshi si dhe Rasim Thaqi.

Falënderues për gjithë këtë organizim u shpreh djali i Augustinit, Leonardi.

Augustin Ukaj ka lindur në vitin 1939 në fshatin Dol të Gjakovës. Gjatë tërë jetës si mblodhi me pasion dhe koleksionoi tregimet për luftën dhe vdekjen, bukën dhe kripën. Melodia e tij ishte zëri autentik, një zë që drodhi Dukagjinin dhe Kosovën, diasporën dhe viset shqiptare. Ndër të tjera në këtë manifestim u tha se Augustin Ukaj u bë me kohën zëri më i veçantë, artikulues i pashoq, ai e dinte dhembjen e gurit, iu foli trimave në zë, betejave dhe historive. Ai ishte këngëtar i dhembjes dhe vajit me zërin autentik që dridhej bashkë me telat e çiftelisë. Rapsodi Augustin Ukaj ka vdekur në gusht të vitit 2004 duke lënë pas vetes këngë të cilat kanë pasuruar folklorin dhe melosin shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme