Ujëvara e Hinkës, një destinacion i pazbuluar turistik në Fier

5 Shtator, 2018 - 1:00 pm

Ujëvara e Hinkës vetëm 7 km nga qyteti i Fierit, është një destinacion ende i panjohur dhe i paeksploruar nga turistët.

Një ujëvarë e mrekullueshme jashtë çdo guide turistike të deritanishme, ajo përbën një potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit të natyrës në Fier.

Më herët, bashkia e Fierit ka ndërmarrë ture promovuese me të rinjtë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe pasurive natyrore.

Ujëvara e Hinkës, një kryevepër e natyrës, ndodhet në zonën kodrinore juglindore të qytetit Fier, e fshehur përfund vargut të kodrave të Peshtanit.

Ajo është rreth 20 metra e lartë dhe ujërat që rrjedhin në shtratin e saj janë nga burimet përreth. Për të shkuar atje, duhet të ndiqni itinerarin e rrugës Vlorë – Qafa e Koshovicës, duke devijuar në perëndim të kodrës së Peshtanit.

Me një vijë të gjatë bregdetare dhe me site të rëndësishme arkeologjike, Fieri mund të ofrojë një paketë të plotë turistike.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik dhe kulinaria e pasur e bëjnë Fierin një destinacion të rëndësishëm turistik, ndërsa eksplorimi dhe promovimi i resurseve të pafrekuentuara, siç është ujëvara e Hinkës, nxit zhvillimin e turizmit ditor./ KultPlus.com

Të ngjajshme