UNESCO: Parku “Drilon-Tushemisht” në rrezik nga ndërhyrjet pa kriter

7 Korrik, 2025 - 9:01 am

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka ngritur shqetësimin se në javën e ardhshme UNESCO pritet të zyrtarizojë vendosjen e parkut natyror Drilon-Tushemishtit në liqenin e Ohrit në listën e pasurive të rrezikuara. Prej kohësh ky shqetësim ishte ngritur nga shoqatat mjedisore për shkak të ndërhyrjeve pa kriter në bregun e liqenit.

“Kjo është merita e planit të menaxhimit të AADF në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe shumë ndërhyrjeve të tjera të gabuara në vijën liqenore” – thuhet në një postim në Facebook.

Aty citohet edhe rekomandimi që ka bërë UNESCO: “Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO./ KultPlus.com

Të ngjajshme