UNESCO: Venecia në listën e kuqe të rrezikut të trashëgimisë

1 Gusht, 2023 - 10:26 am

Ekspertët e UNESCO-s kanë rekomanduar që qyteti italian i Venecias dhe laguna e tij të futen në listën e rrezikut të trashëgimisë së organizatës, duke përmendur kërcënime të shumta.

“Efektet e përkeqësimit të vazhdueshëm për shkak të ndërhyrjes njerëzore, përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme universale të saj”,  paralajmëruan dje ekspertët nga agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Shpresohet që përfshirja e Venecias në listën e rrezikut do të nxisë më shumë angazhim nga aktorët vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar strategji korrigjuese efektive dhe të qëndrueshme.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s do ta shqyrtojë rekomandimin në takimin e tij në shtator.

Dy vjet më parë, komiteti hodhi poshtë një rekomandim të ngjashëm ekspertësh për vendosjen e Venecias në të ashtuquajturën listë të kuqe.

Venecia dhe laguna përreth saj janë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të OKB-së që nga viti 1987.

Venecia ka parë përmbytje të përsëritura gjatë dekadave, veçanërisht në muajt e vjeshtës dhe të dimrit, megjithëse një sistem mbrojtjeje nga përmbytjet tani po mbron rregullisht qytetin, i cili gjithashtu po lufton kundër turizmit masiv./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme