Vlorë, qytetit turistik i rikthehet qendra historike

21 Mars, 2019 - 3:20 pm

“Qytetit bregdetar do t’i kthejmë ‘Vlorën historike të harruar”,
kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve në rehabilitimin e qendrës historike të qytetit të Vlorës së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

“Kemi vizituar të gjitha pjesët e projektit, kemi koordinuar punën me të gjithë ata që janë duke punuar, me inxhinierët e firmës që po zbaton projektin, në mënyre që të gjejmë zgjidhjet më oportune për të kapërcyer çdo vështirësi që del hap pas hapi në këtë projekt, do të thoja nga më kompleksët që kemi realizuar në bashkinë Vlorë”, theksoi Leli.

Leli falënderoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e këtij projekti.

“Pak muaj më parë ishte një hapësirë e bllokuar, jo në përdorim të qytetarëve, po merr formë tërësisht të re për ta kthyer në një shesh të madh, ku do të ndërtojmë muzeun e parë të hebrenjve”, tha Leli.

Leli u shpreh se “pjesa e parë e projektit rruga “Justin Godard” do të përfundojë në prag të sezonit turistik. Projekti do të zgjerohet në vijimësi me mbështetjen e qeverisë dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për të arritur atë që ne duam një zonë historike tërësisht të restaruar”.

Zv/ministri Shkreli duke përgëzuar punën e bashkisë tha se “Vlora do të jetë destinacioni i ri turistik jo vetëm në kuadër të Shqipërinë, por edhe në kuadër mesdhetar”.

Sipas tij, këto projekte i përshtaten morfologjisë historike të këtij qyteti.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.
Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./ atsh

Të ngjajshme