Yll Rugova: 19 vjet të pasluftës nuk kemi bërë punë të mirë me kulturën

23 Janar, 2018 - 9:59 am

Para pak ditësh Yll Rugova nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinë, komunë kjo e cila do të udhëhiqet edhe për katër vite nga kryetari Shpend Ahmeti.

Kësisoj, mbrëmë drejtori i ri i kulturës në Komunën e Prishtinës, me një shkrim në rrjetin social Facebook, i është drejtuar qytetarëve të kësaj komune duke iu thënë atyre se me shumë përgjegjësi e ka pranuar këtë detyrë nga kryetari Ahmeti, dhe se do të punojë në atë drejtim që kultura të hyjë në binarët e duhur, shkruan KultPlus.

Po sjellim të plotë letrën e Yll Rugovës:

“Faleminderit krejtve për urimet. Sado që është për t’iu uruar kujtdo pozita e drejtorit në kryeqytet, kjo detyrë është ndër sfidat e rëndësishme për neve si shoqëri dhe për këdo që e pranon.

Kultura, si tërësi e gjurmëve që mbledhen nga historia, është njëra ndër pjesët kryesore të identitetit kolektiv të shoqërive.

Nëse e shohim në thelb, për shembull lufta mes Kosovës dhe Serbisë (dhe lufta e popullit shqiptar, e popujve tjerë gati gjithmonë) ka qenë edhe luftë për mbrojtje të kulturës. Nëse secili prej neve në Kosovë do të pranonim tjetërsimin tonë kulturor, e gjuhësor si shqiptar, atëherë regjimi serb nuk do të kishte problem me ne. Rrjedhimisht shtypja nuk do të ndodhte.

Tash që jemi liruar nga cenuesi më i madh i kulturës, na mbetet neve ta studiojmë e mbledhim, ruajmë dhe ekspozojmë atë me këmbëngulje.

T’ju them të drejtën, këto 19 vjet të pasluftës nuk mendoj se kemi bërë punë shumë të mirë në këtë drejtim. Por jam i bindur se tashmë janë krijuar rrethana për etapë të re kulturore.

Prandaj me shumë përgjegjësi e kam pranuar emërimin e kryetarit Ahmeti për të udhëhequr me drejtorinë e kulturës në Prishtinë. E megjithëse e di se me kulturën në kryeqytet nuk zgjidhen të gjitha problemet, por të paktën do të vendosen punët në binarë të duhur.

Dua të falënderoj Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun për besimin, dhe gjithsesi gjithë aktivistët e Vetëvendosjes për mbështetjen e pakusht gjatë këtyre gjashtë muajve rrugëtim së bashku”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com

Të ngjajshme