Zbulime historike gjatë restaurimit të pazarit në Gjirokastër

28 Shkurt, 2019 - 11:30 am

Vetëm një copë kalldrëm, që duket se daton nga fillimi i pazarit rreth 300 vite më parë, pritet të konservohet në Gjirokastër.

Gjatë punimeve për rehabilitimin e rrjetit të kalldrëmeve në “Pazarin historik” të Gjirokastrës, ekspertët kanë rënë në gjurmët e një shtrese historike rrugësh, kalldrëmesh dhe kubesh, që mund të çonin në një rivlerësim të historisë së pazarit.

Gjetjet në thellësinë rreth 2.5 metra, çuditërisht janë mbuluar sërish pa marrë zgjidhje datimi dhe pa iu dhënë mundësi ekspozimi.

Inxhinieri zbatues për punimet, Pilo Dhame thotë se befasitë gjatë gërmimeve provojnë gojëdhënat e përcjella brez pas brezi, për një sistem të sofistikuar kolektorësh e katakombesh nën pazar.

“Kolektori historik është ruajtur dhe do të vijojë të jetë funksional me rrjetin e ri që po ndërtohet”, tha Pilo Dhame, inxhinier zbatues.

Drejtoria e Monumenteve mori vendim për rihapjen e shtresave të zbuluara për të rivlerësuar situatën.

Punimet për rehabilitimin e rrjetit të rrugëve e kanalizimeve në pazar pritet të përfundojnë në tetor. / KultPlus.com

Të ngjajshme