Shqipëria në sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore

17 Shtator, 2023 - 9:01 am

Shqipëria po merr pjesë në sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare e pranishme në këtë aktivitet vlerësoi ekspetizën dhe asistencën e dhënë për ruajtjen e objekteve shqiptare të trashëgimisë kulturore, tashmë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Në ndërhyrjen time, pasi Komiteti i Trashëgimisë Botërore miratoi vendimet për Raportet e Konservimit të rajonit të Ohrit dhe qendrave kulturore të Beratit dhe Gjirokastrës, shpreha vlerësimin për dialogun konstruktiv e të vazhdueshëm me Qendrën e TB dhe gjithashtu falënderova organet këshillimore për ekspertizën dhe asistencën”, u shpreh Kadare.

Ajo siguroi për angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar përmirësimin e ruajtjes dhe menaxhimit të këtyre dy pronave të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore.

“Theksova angazhimin e Shqipërisë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të përfshira në vendimet e miratuara dhe për të marrë masat e nevojshme, në koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët përkatës, për të vazhduar përmirësimin e ruajtjes dhe menaxhimit të këtyre dy pronave të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore, në funksion të objektivit tonë të përbashkët: mbrojtjen e vlerës së tyre të jashtëzakonshme universal”, deklaroi Kadare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme