3 Korrik, 2025 - 10:51 am
Dita Botërore e Zogjve të Detit festohet çdo 3 korrik, si një kujtesë për sistemin e grupit të zogjve që i përshtaten mjedisit detar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, një kolazh pamjesh të këtyre zogjve, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Zogjtë e detit janë shpendë të përshtatur për jetën në mjedisin detar, shumica e tyre folezojnë në koloni që ndryshojnë në madhësi nga disa dhjetëra zogj deri në miliona, duke qenë pjesë e rëndësishme e ekuilibrit natyror.
Shkencëtarët dhe të apasionuarit pas shpendëve të detit e përkujtojnë këtë datë për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet e vazhdueshme dhe ruajtjen e popullatave të shpendëve të detit, duke propozuar rregullimin e teknikave të peshkimit, aktivitetin e kontrolluar të anijeve dhe ndaluar derdhjen e naftës në det.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në peizazhet e larmishme të vendit tonë jetojnë shumëllojshmëri shpendësh, të cilët janë një pasuri e pazëvendësueshme. Numri i tyre arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone. Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore. Pozicioni gjeografik, relievi dhe klima e favorshme në vend mundësojnë kushtet e përshtatshme për konservimin e florës dhe faunës.
AKZM bën me dije se në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të kërcënuara në nivel global, përfshirë këtu Pelikanin kaçurrel (Pelecanus crispus), shpend që haset në lagunat shqiptare. Pelikani është një ndër shpendët më të mëdhenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai folezon në Lagunën e Karavastasë, gjendet në Liqenin e Prespës dhe atë të Shkodrës.
Flamingo është një ndër shpendët më të veçantë për shkak të kontrasteve të ngjyrave të tij. Mbrojtja e këtij shpendi ka rritur numrin e tij në lagunat tona. Ai folezon kryesisht në brigje dhe ishuj të ulët. Jeton në cekëtina e ujëra të njelmëta. Çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) një shpend shumë elegant, gjendet në lagunën e Fllakës në Durrës, por që rrezikon të zhduket. Larushi kokëkuq (Lanius senator) shpendi elegant gjendet në Bashtovë. Gargulli (bletëngrënësi) (Merops apiaster) gjendet në Kune-Vain. Gushëkuqi (Erithacus rubecula) gjendet në Parkun Kobëtarë Divjakë-Karavasta.
Zogjtë e detit janë ‘sistemi’ ynë i paralajmërimit të hershëm për ndryshime, siç është ndryshimi i klimës./atsh/ KultPlus.com